Bashkia Elbasan vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje
Bashkia Elbasan ka vijuar gjatë ditëve të fundit aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje, me qëllim rikthimin e tyre në shërbim të qytetarëve.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se angazhimi i bashkisë për këtë çështje është i pandalshëm dhe do të vijojë “pa kompromis” deri në lirimin e çdo hapësire të zaptuar në mënyrë të paligjshme.
“Angazhimi ynë vijon pa kompromis për të liruar çdo hapësirë të zaptuar pa të drejtë, që ka penguar lëvizjen dhe përdorimin e hapësirave nga qytetarët. Falenderoj bizneset që ju përgjigjën menjëherë thirrjes dhe liruan vullnetarisht hapësirat publike”, deklaroi Llatja.
Ai shtoi se për rastet ku nuk ka pasur bashkëpunim, ekipet e bashkisë janë në terren për të vepruar sipas ligjit, duke mbrojtur interesin e qytetarëve.
“Jemi partnerë dhe mbështetës të biznesit, por asnjëherë në kurriz të qytetarit dhe qytetit”, nënvizoi kryebashkiaku.
Sipas Bashkisë Elbasan, operacioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë në të gjitha lagjet e qytetit dhe zonat përreth, me qëllim përmirësimin e aksesit dhe funksionalitetit urban për komunitetin.