Bashkia prezanton projektin IPA PADRION për transformimin digjital dhe bashkëpunimin ndërinstitucional

Bashkia Elbasan vijon angazhimin për modernizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e ndërveprimit me qytetarët përmes zgjidhjeve digjitale. Si pjesë e këtij vizioni, u zhvillua një takim me aktorët lokalë për prezantimin e projektit IPA PADRION, “Administratat Publike përballë Transformimit Digjital si një Komunitet në Zonën ADRION”, i cili synon forcimin e kapaciteteve të administratave publike përballë transformimit digjital.
Takimi, i drejtuar nga nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, mblodhi përfaqësues të Qarkut Elbasan, Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, institucioneve publike lokale, shoqatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Diskutimet u fokusuan në mënyrën se si teknologjia mund të mbështesë qeverisjen vendore dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.
Në takim u prezantuan objektivat dhe rezultatet e pritshme të projektit IPA PADRION, i cili mbështet administratat publike të rajonit ADRION në përshtatjen me proceset e transformimit digjital. Diskutimet u përqendruan në dy nisma kryesore që po ndërmerren në nivel local.
Hartimi i Agjendës Digjitale Lokale (LDA), që do të udhëheqë veprimet për zhvillimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve publike.
Krijimi i Komunitetit Tematik të Praktikës (TCOP), një rrjet bashkëpunimi ndërmjet aktorëve publikë, privatë dhe akademikë për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në fushën e transformimit digjital.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari Asim Sula vlerësoi rëndësinë e projektit për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe theksoi angazhimin e Bashkisë Elbasan për të ndërtuar një administratë më të hapur, efikase dhe të lidhur me qytetarët.
Përfaqësuesi i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” u shpreh se, “Universiteti i Elbasanit është shumë i kënaqur që është pjesë e këtij projekti dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë me burime njerëzore dhe ide për ta çuar përpara këtë nismë. Studentët tanë, veçanërisht ata në programe të lidhura me teknologjinë, mund të ofrojnë ide novatore për ta bërë projektin sa më funksional në dobi të komunitetit.”
Përfaqësuesi i Shoqatës ‘Tjetër Vizion’ vlerwsoi kwtw projekt duke pohuar se “ këto janë projekte shumë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e komunitetit, por edhe për aktorët e përfshirë. Pjesëmarrja e Bashkisë si lidere në këtë projekt tregon hyrjen në një fazë të re të kërkesës për shërbime më cilësore. Si organizatë do të jemi aktor mbështetës në zbatimin e tij, duke ndihmuar grupet që kanë vështirësi në aksesimin e shërbimeve publike.”
Përfaqësuesi i Këshillit të Qarkut Elbasan vlerësoi se “ ky projekt është një mundësi për të shtrirë transformimin digjital në komunitet. Po pilotojmë një zonë rurale që do të ulë kostot për biznesin dhe qytetarët. Ky bashkëpunim mes Këshillit të Qarkut dhe Bashkisë Elbasan është në përputhje me strategjitë tona për zhvillimin e zonave rurale.”
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një administrate më inovative dhe më afër qytetarëve, në përputhje me objektivat e projektit IPA PADRION dhe agjendën evropiane për zhvillim të qëndrueshëm dhe digjital.
Në vijim, Bashkia Elbasan do të vijojë punën për përgatitjen e dokumentit të Agjendës Digjitale Lokale dhe përfshirjen e aktorëve të rinj në Komunitetin Tematik të Praktikës, duke siguruar që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe afatgjatë.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit IPA PADRION, bashkëfinancuar nga Programi Interreg ADRION, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave publike në rajonin Adriatiko-Jonian për transformimin digjital dhe inovacionin në qeverisje.