Biblioteka e Elbasanit rikthen në vëmëndje trashëgiminë e Leksi Vinit
Në sallën e Bibliotekës Publike, Klubi i Leximit zhvilloi takimin e radhës nën moton “Pasditja e autorëve elbasanas”. Kësaj here, u soll në vëmendje jeta dhe krijimtaria e Leksit të Vinit, një figurë e njohur dhe e dashur e qytetit, i cili ka lënë një trashëgimi të vyer me shënimet e tij mbi jetën, traditat dhe zakonet e Elbasanit.
Falë punës së studiuesve Kreshnik Belegu, Ortenca Dakli dhe Fatmir Musai, këto materiale janë përmbledhur në vëllimin “Traditat zakonore të Elbasanit”, një libër i cili hedh dritë mbi kulturën dhe historinë lokale.
Takimi, i moderuar nga Beneta Dhima, u pasurua me mendimet e shkrimtarit dhe studiuesit Fatmir Musai, ndërsa pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrat se si trashëgimia kulturore e Elbasanit mund të ruhet dhe promovohet më tej.
Kush ishte Leksi i Vinit?
Leksi i Vinit (1903–1974), emri i artit për Aleksandër Kostandin Josifin, ishte mbledhës i folklorit, kompozues dhe këngëtar i njohur i ahengut qytetar elbasanas. Ai grumbulloi qindra këngë popullore, përralla dhe zakone të vjetra të qytetit, duke u bërë një ndër figurat që kanë ndihmuar në themelimin e këngës qytetare elbasanase. Shënimet e tij, të mbledhura me pasion e këmbëngulje, përbëjnë sot një pasuri të vyer për historinë dhe identitetin kulturor të Elbasanit.
Ky aktivitet ishte pjesë e kalendarit të rregullt të Bibliotekës Publike Elbasan, e cila vijon të sjellë në qendër të vëmendjes figurat dhe autorët që kanë kontribuar në identitetin kulturor të qytetit.