Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Buxhetimi me Pjesëmarrje në Njësinë Administrative Labinot-Fushë

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka vijuar sot në Njësinë Administrative Labinot-Fushë, ku banorët u njohën me investimet e realizuara gjatë vitit të fundit, si edhe me prioritetet që do të pasqyrohen në planin e investimeve për vitin 2026.

Në këtë takim mori pjesë deputetja Sara Mile si dhe nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, i cili së bashku me administratorin e njësisë prezantuan projektet e kryera duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme ndaj zonave rurale.

Gjatë vitit të fundit, Bashkia Elbasan ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe shërbimeve komunitare në të gjithë territorin e njësisë, duke përfshirë, asfaltim i rrugës së lagjes së spitalit, asfaltim i rrugëve të brendshme në lagjet Isak, Bucajvër dhe Shkëmbit. Sistemim dhe pastrim sistematik i kanaleve ujitëse. Sistemim i ujërave të zeza në përroin e Larit dhe zonën e pompave Mëngel.

Rikonstruksion i qendrës shëndetësore Labinot-Fushë, vendosje ndriçimi publik në lagje, pastrim i gurrës së ujit, rehabilitim dhe asfaltim i rrugëve Krastë–Ura e Lizës dhe Behxhet Hyti–Mëngel, dhe rehabilitim i kanalit ujitës në Mëngel.

Në fshatin Godolesh janë realizuar ndërhyrje për rehabilitimin e rrjetit të ujit të pijshëm, shtrimin me çakull të rrugës Shegunë, vendosjen e ndriçuesve publikë në rrugët kryesore si edhe vendosjen e koshave të mbeturinave.

Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, u shpreh se , “Bashkia Elbasan është e angazhuar të sjellë investime të prekshme në çdo lagje e fshat. Rritja e cilësisë së jetesës së qytetarëve është prioriteti ynë kryesor dhe buxhetimi me pjesëmarrje garanton që zëri i banorëve të jetë gjithmonë vendimtar në planifikimin e projekteve të reja.”

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijon, me synimin për të ndërtuar një zhvillim të balancuar dhe për të forcuar bashkëpunimin mes Bashkisë dhe komuniteteve lokale.