Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Buxhetimi me Pjesëmarrje në Shirgjan, investimet dhe zhvillimi i zonës në fokus.

Në Njësinë Administrative Shirgjan u zhvillua takimi i radhës i “Buxhetimit me pjesëmarrje” si forma më demokratike dhe më e suksesshme e bashkëqeverisjes.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u prit nga Kryetari i Njësisë Ibrahim Roçi, përfaqësues të njësisë dhe banorë të shumtë, për të diskutuar projektet dhe investimet që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026.

Llatja nënvizoi se unaza bujqësore ka lehtësuar tregun, duke përmirësuar qarkullimin e produkteve bujqësore, si edhe punimeve sistematike për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse.

Ai theksoi se këto investime kanë ndihmuar jo vetëm për tregtimin e produkteve, por edhe për rritjen e prodhimit bujqësor në fushën e Elbasanit.

“Problemet kanë qenë të shumta, nga 10 hektarë sera që kemi pasur në fushën e Elbasanit, kryesisht në Bujqës dhe Jagodinë, tashmë kemi mbi 120 hektarë sera për bujqësi, me një prodhim bujqësor të shtuar në fushën e Elbasanit,” tha Llatja.

Ai shtoi se, “nëse më parë flisje për tokat si do i vinim në punë dhe si do t’i vadisnim, sot flitet për problemet që kemi me bujqësinë, duke filluar që nga tregu, pikat e grumbullimit, duke vazhduar me kodrat, me ullishtat, me vajin e ullirit.”

Ne jemi përpjekur t’ju qëndrojmë gjithnjë pranë, thkesoi kryebashkiaku, duke pohuar se “përveç problemeve, ka pasur edhe një rritje konstante të ekonomisë në të gjithë fushën e Elbasanit, dhe kjo kryesisht e ardhur nga bujqësia.

Një sërë investimesh kemi bërë gjatë këtyre viteve dhe shumë investime të tjera që pritet t’i bëjmë.

Qëllimi ynë nuk është të rregullojmë vetëm pjesën e infrastrukturës, por kemi edhe projekte zhvillimore të Elbasanit. Shumë nga problematikat që janë zgjidhur, janë zgjidhur nga buxhetimi me pjesëmarrje, nga kërkesat që ju keni bërë.

Ajo që kam vënë re është që në çdo njësi administrative, nëse kemi vënë prioritet për tre apo katër investime, kemi arritur që gjatë të gjithë kohës të bëjmë më shumë.”

Në përmbyllje, banorët e Shirgjanit votuan për prioritetet që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026 dhe shprehën falënderimet e tyre për investimet e realizuara gjatë vitit në zonën e tyre.