Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Gezuar 8 Marsin

Gëzuar 8 Marsin të gjithë grave dhe vajzave, të cilat meritojnë mirënjohje dhe respekt çdo ditë të viti

RESPEKT🤍

BUSTI I ATDHETARIT HASAN PRISHTINA NË SHKOLLËN “LUIGJ GURAKUQI” ISH NORMALJA E ELBASANIT

Busti i atdhetarit, dhe kontributorit të Normales së Elbasanit, Hasan Prishtina, është vendosur sot në shkollën “Luigj Gurakuqi”, ish Normalja e Elbasanit.

Në ceremoninë e organizuar në kuadër edhe të “7 Marsit”, ditës së Mësuesit, kanë marrë pjesë mësues, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja drejtuesit lokalë, si edhe Mehmet Prishtina, Drejtor i Fondacionit Hasan Prishtina- stwrnip i Hasan Prishtines, i cili është edhe donator i bustit për normalen e Elbasanit.

Në fjalën e tij, z. Llatja, përcolli urimet për mësuesit, ndërsa duke u ndalur tek ceremonia e vendosjes së memorialit të Hasan Prishtinës në këtë shkollë vlerësoi kontributin e vuer që ai ka dhënë për Normalen e Elbasanit, i cili shkriu tërë pasurinë që e posedonte në qytetin e Shkupit për të dërguar nxënës nga trevat shqiptare në “Normalen Elbasanit.

“Në muzeun tonë të shkollës “Normale”, erdhi busti i Hasan Prishtinës, ai u kthye në vendin që aq shumë e deshi. Ne kemi pasur shumë patriotë të nderuar të të gjithë trevave shqiptare dhe Hasan Prishtina është një nga ato që ka shkrirë pasurinë e tij për gjuhën shqipe, për kombin shqiptar.

Ne nuk duhet të harrojmë, që në 1 dhjetor të vitit 1909 kur ka rënë zilja e parë e Normales për të filluar mësimi, ka rënë me orën e dhuruar nga Hasan Prishtina.

Kanë qenë mbi 21 nxënës të ardhur nga Kosova për të mësuar në Normalen e Elbasanit, me mbështetjen financiare të Hasan Prishtinës, për t’u arsimuar dhe për t’u rikthyer sërisht në Kosovë, për të dhënë më të mirën e tyre për edukimin e fëmijëve në të gjithë trevat shqiptare”.

Hasan Prishtina nuk ka mbështetur vetëm nxënësit e Kosovës, por edhe të rinjtë dhe fëmijët nga Maqedonia e Veriut nga trevat në Mal të Zi, nga Lugina e Preshevës, për të mos humbur rrënjët e tyre shqiptare, të kenë identitetin e tyre të lidhur fortë me arsimin dhe me gjuhën shqipe.

“Normalja e Elbasanit ka qenë dhe do të mbetet krenaria jonë në qytet, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim patriotët tanë të cilët kanë dhënë kontribut për ta bërë Elbasanin një vend dhe me një shkollë të ndritur, që ky ndriçim të kalojë në të gjithë trevat shqiptare.

 Nderime për të gjithë mësuesit që kanë dhënë kontributin e tyre për edukimin e brezave në të gjitha trevat shqiptare.

 Respekte pa fund për të gjithë patriotët të cilët kanë dhënë gjithçka për çështjen kombëtare për arsimi shqiptar dhe për të çuar përpara kulturën dhe dijen në gjuhën shqipe.

Respekte dhe për Hasan Prishtinën, dhe për pasardhësin e tij i cili vazhdon me kaq vullnet kauzën e nisur nga ai”, tha z. Llatja.

Më pas ceremonia ka vijuar me çertifikata nderi nga bashkia Elbasan për ish Normalistë dhe mësuesit Tomorr Arianiti, Minerva Himci, Panjot Lena, Bleta Dervina me motivacioni “Për kontributin e shquar të dhënë në sistemin arsimor shqiptar dhe në edukimin e brezave të rinj”.

Panairi “Work and Study”: Një mundësi për të nxitur të rinjtë drejt alternativave të punësimit

Në ambjentet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan është çelur Panairin “Work & Study”.  

Qëllimi i Panairit i kthyer në traditë është inkurajimi i të rinjve dhe njohja sa më afër me alternativat e ndryshme që ofrohen për punesimin e tyre në të ardhmen.  

Në panair marrin pjesë shumë kompani universitete e institucione të ndryshme, të cilat ofrojnë vende të lira pune.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, e sheh këtë panair si një mundësi komunikimi duke nxitur të rinjtë që të njihem me alternativat e punësimit.  

“Për maturantët është një ditë e frytshme e sukseshme për t’u njohur me ofertat që ka tregu si edhe për shkollat profesionale.

  Ekonomia e shqipërisë dhe e Elbasanit po zhvillohet, kemi profesione të reja, që para disa vitesh nuk janë vlerësuar si duhet siç janë shkollat profesionale.

Ne po bëhemi gati me një sërë zhvillimesh si automotoparku, kërkimi i naftës në zonën e Dumresë, si edhe në fushën e turizmit.

Sot tregu i punës kërkon teknikë, profesionistë të mirë, ndaj ajo që do ju rekomandoja është profilizimi, profilet teknike janë ato që paguhen më mirë dhe që kanë më shumë kërkesa.

 Uroj të keni një ditë të frytshme me qëllim që ju të krijoni ide të qarta për të ardhmen tuaj dhe profilin që do të vazhdoni”, tha z. Llatja.

Panairi “Work & Study” në Elbasan, është një mundësi për të gjithë maturantët për t’u njohur me programet e ndryshme të studimit, këshillimin e karrierës dhe alternativat aktuale të tregut të punës.

“7 Minuta”, sukses në “Skampa”

Drama “7 Minuta” e interpetuar nga 11 aktore të njohura të skenës shqiptare, ka mbushur plot sallën e teatrit “Skampa”.

 E mirëpritur nga artëdashësit elbasanas, kjo dramë trajton të drejtat e punëtorëve dhe dinjitetin e tyre.

Nën intepretimin e aktoreve Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Olta Daku, Zamira Kita, Anila Bishaj, Ridina Dembacaj, Adelina Mucaj, Adela Xhemalaj, Paola Kodra, Ajlin Petrela, dhe Xhoana Karaj, me regji të Drida Dervishi, kjo dramë la mbresa tek publiku e gjerë.

11 gra, punëtore në fabrikë xhinsesh bëhen bashkë në përpjekje heroike për të mos humbur te drejtat e tyre të punës. 

Shfaqja zhvillohet gjatë një dite të tërë, duke filluar nga rutina e mëngjesit e protagonistëve e deri në mbrëmje, kur më në fund punëtorët arrijnë në një vendim jo pa vështirësi.

Gledian Llatja: “Dita e Verës” një sërë aktivitetesh për të mos humbur në Elbasan

Elbasani është kthyer në një atmosferë festive 10 ditë para festës së Ditës së Verës, e cila rrënjët i ka tek ky qytet.

Bashkia Elbasan, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja e nisin kalendarin e festimeve më herët se çdo vit, duke u kujdesur të përfshijnë çdo traditë ashtu siç

 e meriton ky qytet i cili ka edhe ekskluzivitetin e kësaj feste e ruajtur “gjallë” prej shekujsh.

Në detaje rreth festimeve, vetë kryebashkiaku Gledian Llatja ka bërë edhe një përmbledhje të aktiviteteve dhe pikave të shumta në qytet ku do të gjallërohet kjo festë për 10 ditë me rradhë. Ndërsa ka ftuar mbarë qytetërët e vendit dhe jo vetëm të vijnë në Elbasan për të festuar Ditën e Verës, në qytetin ku festa lindi dhe u trashëgua brez pas brezi.

“Për të shijuar këtë atmosferë shumëngjyrëshe nga data 4 deri më 14 Mars, qyteti do të përfshihet nga një larmi festive me shumë aktivitete si, ekspozita, konkurse, panaire, poçeri, lights show, koncerte dhe shumë e shumë të tjera”, pohon Llatja.

“E nisëm me fëmijët, me aktivitetet e kopshteve, për të vijuar me Qendrën Kulturore të Fëmijëve, më pas me Teatrin Skampa, ku një sërë aktorësh dhe këngëtarësh do të intepretojnë në skenë.

 Sakaq ditën e shtunë aktivitetet do të fokusohen në sheshin e qytetit, të djelën në Elbasan rivjen Retro, për të gjithë të apasionuarit e mjeteve të vjetra, aktivitete që nisin paradite dhe përfundojnë në mbrëmje”.

 Me një dekor me lule shumëngjyrëshe që lajmërojnë ardhjen e pranverës është zbukuruar i gjithë qyteti, madje edhe vetë lokalet në qendër për nder të kësaj tradite shekullore kanë zbukuruar ambjentet e jashtme dhe fasadat me shumë drita dhe plot gjallëri.

 Kjo festë pagane me origjinë nga Elbasani, parashikon që edhe këtë vit të mbush qytetin me miq nga vendi dhe jo vetëm.

 Festa vjen edhe me shumë risi, ku ashtu si çdo vit axhenda e festimeve pasurohet me detaje të cilat nuk i kemi parë më herët. Për herë të parë do të organizohet parada me trupat e asambleve nga i gjithë qarku i Elbasanit si dhe Maqedonia.

“Të hënën në vijim do të vendoset edhe skena e madhe ku do të fillojnë performancat. Këtë vit do të rikthehet edhe Defileja, ekspozita e rrobave tradicionale e trevave të gjitha krahinave shqiptare. Në datën 12 aktivitetet do të nisin nga stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” për të përfunduar tek sheshi i qytetit ku të gjitha grupet artsitike do të kenë performancën e tyre.

 Këtë vit nuk mungojnë edhe ekspozitat, ajo e pikturës, ekspozita e nxënësve të shkollës artistike “Onufri”, por edhe mundësi për të gjithë qytetarët e elbasanit që kontribuojnë për çështje specifike, fëmijë me aftësi të kufizuara etj, ku qendrat tona kanë përgatitur ekspozitat e saj si edhe kartolina për t’u blerë nga qytetarët si një ndihmë simbolike.

 Në sheshin kryesor do të performojnë një sërë këngëtarësh me emër në vend por edhe këngëtarët e rinj të elbasanit”.

 14 Marsi. është një ditë aktivitetesh të shumta, ekspozita, panairi, si edhe panairi i gjellëve trdicionale të Elbasanit.

“E kemi promovuar çdo vit, por do ta vazhdojmë atë me Sofrën elbasanase ku do të shtrohet për të promovuar gatimet tradicionale të Shqipërisë së mesme.

Fëmijët do të jenë epiqendra e ditës së verës, por edhe për të rinjtë edhe të rriturit”.

 Të gjitha pikat e qytetit do të jenë aktive dhe do të gumëzhijnë nga festat dhe njerëzit.

Risia e kësaj feste, është një traditë e elbasanit në një ekspozitë vetëm me fëmijët, ku do të prezantohen tavat e elbasanit si traditë e kulinarisë së Elbasanit në bashkëpunim edhe me kuzhinierët e qyetit.

Për herë të parë në bibliotekën e qytetit do të mbahet një simpozium mbi historikun e Ditës së Verës.

“Dita e verës është e Elbasanit, panvarësisht se është kthyer në një festë kombëtare, mund të huazohet kjo ditë por asnjë nuk e feston si Elbasani.

 Ndaj ftoj të gjithë miqtë, qytetarët, artëdashësit e artit, traditës dhe kulturës nga vendi dhe jashtë tij, të vijnë në Elbasan, të festojmë këtë ditë së bashku, dhe të mirëpresim pranverën, stinën e mirësisë dhe begatisë”.

 “Dita e Verës 2024”, “Dallandyshet e para” çelin aktivitetet festive

Nga lashtësia, Dita e Verës vjen dhe ulet këmbëkryq në Elbasan, në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës.

Këtë vit festimet nisin që të hënën e parë të marsit, për t’a finalizuar këtë festë në drekën e 14 Marsit.

Bashkia Elbasan, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja e nisin kalendarin e festimeve më herët se çdo vit, duke u kujdesur të përfshijnë çdo traditë ashtu siç e meriton ky qytet i cili ka edhe ekskluzivitetin e kësaj feste e ruajtur “gjallë” prej shekujsh.

I pranishëm në koncertin e fëmijëve të 11- klasave përgatitore në qytet, të cilët reciatuan dhe kënduan në një skenë të improvizuar vetëm për ta në ambjentet e

“Parkut Rinia”, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja e vuri theksin tek tradita e kësaj feste në Elbasan, e cila sipas tij vazhdon të rigjallërohet nga viti në vit.  

“Për 10 ditë rradhazi për të shijuar këtë atmosferë shumëngjyrëshe, qyteti do të përfshihet nga një larmi festive me shumë aktivitete si, ekspozita, konkurse, panaire, poçeri, lights shoë, koncerte dhe shumë e shumë të tjera.

Duke qenë se që në lashtësi më së shumti këtë ditë e shijonin fëmijët, kemi menduar që qyteti të gjallërohet nga ato”, tha kryebashkiaku LLatja.

Duke ftuar të gjithë qytetarët jo vetëm nga Elbasani po nga i mbarë vendi të vijnë të festojnë në Elbasan, kryeqendren e kesaj feste, kryebashkiaku Llatja uroi një verë të begatë dhe plot mirësi, duke vendosur edhe simbolin e ditës së verës, veroren me ngjyrat e pranverës, nga një vogëlushe.  

Nga data 4 mars deri në datën 9 mars, fëmijët do të jenë proragonistët kryesorë në qytet, duke organizuar koncerte me këngë dhe valle, mbjellje lulesh tek “Parku Rinia” ato do të shpalosin ekspozita me punime, kërcime, të orjentuara nga mësueset e tyre të parashkollorit.

Të gjithë kopshtet e qytetit do të kenë ditët e tyre për të aktruar, vallëzuar, recituar dhe gatuar. “Diell dhe Dallandyshe”, do të jetë lejtmotivi i fëmijëve të kopshteve dhe përgatitoreve të qytetit.

“Dita e Verës” në Elbasan veç mikpritjes, e ka kaluar nga njëri brez tek tjetri këtë festë pagane domethënëse të ardhjes së pranverës.

 Vitet kaluan dhe festa mbeti në Elbasan po aq e mirëpritur sa edhe atëherë kur pati shkelur për herë të parë.

AUTOMOTOPARKU, ÇEL NJË EPOKË TË RE PËR ELBASANIN

Projekti për cirkuitin e parë motosportiv shqiptar po jetësohet në terren, përbri lumit Shkumbin, në zonën e Krastës së Elbasanit, sipas standardeve të FIA dhe FIM, duke çelur një epokë të re për Elbasanin dhe jo vetëm dhe duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e rajonit për organizimin e aktiviteteve motorsportive.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri dhe kreu i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, ishte sot në kantier ku ndoqi nga afër punimet për ndërtimin e platformës së re ultramoderne, e cila do t’i shtojë Shqipërisë një motor tjetër për ekonominë e saj, kuaj të rinj fuqi për industrinë e saj të turizmit.

Kryeministri Rama tha se pritet që gara e parë të zhvillohet në 2027-ën, ndërsa kërkoi edhe hartimin dhe zbatimin paralelisht të një projekti për përmirësimin e peizazhit, investimin në shëtitore, apo infrastrukturën e brendshme, për ta kthyer në një projekt botëror.

“Nëse ne presim që gara e parë të zhvillohet në vitin 2027, duhet që ta shikojmë jo vetëm nga pikëpamja teknike që ka vet cirkuiti, por edhe nga pikëpamja e peizazhit. Sepse është një promovim i madh për Shqipërinë. Duhet bërë paralelisht edhe një projekt për gjithë sistemimet rreth e rrotull, që janë pjesë e imazhit. Përfshirë edhe shtëpitë, kodrat, me mbjellje pemësh. Duhet konsolidim i imazhit, të fasadave për të krijuar një pamje që të jetë e gjitha një pamje të një vendi tërheqë“, u shpreh Rama.

Sipas tij, duke pasur parasysh se do të vijnë deri në 100 mijë njerëz të ndjekin garat, duhet që edhe gjithë segmentet nga vihet të jenë me standarde estetike të larta.

Kryeministri informoi se paraprakisht do të bëhen edhe gara të tjera si Formula 2, apo Festivalet Automotive që do të bëjnë në një farë mënyre edhe kolaudimin e Automotoparkut, në mënyrë që në vitin 2027 të ecet shumë fort e që në 2026 të mbarojë projekti.

Ky projekt është një hapësirë e re cilësore edhe për rritjen e sigurisë rrugore, po edhe një mundësi e re e jashtëzakonshme për sportet automotoristike, si edhe aktivitetet ndërkombëtare të niveleve më të larta, që pritet të sjellin nga e gjithë bota ndjekësit e FORMULA UNO

Vijojmë ndërhyrjet nëntokësore për të siguruar ujë 24 orë në ditë        

 Punimet nëntokësore për shtrimin e kanalizimeve të ujrave të zeza, projekt i KFV -së në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit vijojnë me ritme të kënaqshme.

  Ky projekt ndikon në të gjithë rrjetin në Njësinë nr 3 tek Dogana e qytetit ku prioriteti kryesor është 24 orë ujë në ditë.

I shoqëruar nga deputeti Florenc Spaho dhe drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Luan Tabaku, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja gjatë një inspektimi në këtë investim shprehu bindjen se ishte e domosdoshme ndërhyrja nëntokësore në këtë zonë.

 ” Ka qenë një kërkesë e banorëve të bllokut të pallatit 120, i cili përfshin një bllok të madh prej katër sheshesh. Edhe pse ndodhet përballë doganës, kjo lagje është konsideruar si periferike e vjetër,ndërkohë që në qytet kemi bërë investime të vazhdueshme” tha ai.

 Llatja renditi një sërë investimesh të dukshme tashmë sic janë zona e ” NSHU, në lagjen ” Skënderbej”, në Krastë, në zonën e Teqes në Rajonin Nr 6 po punohet në kanalizimin e ujrave të zeza, ndërkohë edhe tek shkolla ” Hamit Mullisi”.

 Po vijon investimi i kanalizimeve të ujrave të zeza, një sërë investimesh në ujësjellës, me qëllimin final që në 2025 të gjitha lagjet të kenë ujë 24 orë, ndaj ishte e domosdoshme ndërhyrja në këtë bllok pallatesh të Rajonit Nr 3.

” Në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizmet jemi në fazën e parë të ndërhyrjes, atë të ujit të pijshëm, dhe shumë shpejt, brenda muajit Prill do të fillojmë me asfaltimin e të gjitha shesheve të pallateve, për të kaluar më tej tek faza e shumëkërkuar e banorëve, sistemi kapot i veshjeve të fasadave të pallateve”.

 Bashkia Elbasan e ka nisur tashmë dhe vijon projektin e veshjes me sistem kapot në bashkëpunim edhe me FSHZH një vit më pare, ku ka filluar sistemimi i gjysmës së bllokut dhe tashmë ka mbetur edhe gjysma tjetër, një prioritet e bashkisë por edhe qeverisë shqiptare.

 Sipas deputetit Florenc Spaho e vuri theksin se nga ky investim do të përfitojnë ujë të pijshëm 300 banorë të këtij blloku pallatesh.

 ” Me mbështetjen e qeverisë shqiptare ne do të mbajmë edhe premtimin e dhënë në fushatë për të bërë të mundur edhe riasfaltimin e këtij sheshi,si edhe vendosjen e disa stolave për të pushuar mosha e tretë, për ta kthyer në një minipark”.

Rruga “Koco Brisku”, e rikthyer në një bllok tërësisht urban

Rruga “Koco Brisku”, në lagjen “5 Maji”, nga një bllok banesash informale është duke u kthyer në një rrugë urbane me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Gjatë një inspektimi të punimeve në këtë zonë, kreu i bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga deputetja e kësaj zone Evis Kushi kanë vlerësuar gadishmërinë e banorëve, të cilët e kanë mbështetur këtë investim në zonën e tyre që aktualisht është kthyer në një kantier ndërtimi.

“Lagjja “Koco Brisku” është një zonë informale e krijuar pas vitit ’90-të, dhe kishte një sërë problematikash në urbanizimin e kësaj zone, ndërsa sot është kthyer në një nga rrugicat kryesore të kësaj lageje”, tha z. LLatja.

Duke e vënë theksin tek një sërë investimesh që po realizohen në qytet, ai vuri në dukje edhe investimet në bashkëpunim me KFV -në Gjermane ku paralelisht po kryhen punime në riasfaltime dhe shtrim rrugësh dhe rrugicash si në qytet ashtu edhe në zonat informale.

“Këtë vit janë rihapur një sërë kantieresh ndërtimi në të gjithë qytetin e Elbasanit për t’i dhënë një tjetër formë kryesisht zonave informale.

 Kanalizmet e ujrave të zeza kanë qenë problem në këtë lagje, ndaj bashkia ka vijuar të kryejë paralelisht jo vetëm investimet në kanalizime por edhe në infrastrukturë totale duke përfshirë edhe ndricimin”, shtoi ai.

Nga ana e saj, deputetje Kushi theksoi faktin se – me investimet e kryera në këtë zonë, është rritur edhe vlera e pronës, si edhe bizneseve të shumta që ushtrojnë aktivitet.

Lagjja “5 Maji” është një ndër më të mëdhatë në qytetin e Elbasanit, një zonë informale dhe me një numër të madh banorësh, cka ka pasur edhe shumë probleme infrastrukturore.

Para pak vitesh kjo lagje ka qenë thuajse informale, ndërsa deri më tani janë kryer më shumë se 6 km kanalizime të ujrave të zeza, investime të cilat janë pritur shumë mirë nga banorët.