Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

HAPJA E SEZONIT KURATIV NË LLIXHA, PROMOVOHET PËR HERË TË PARË EDHE PANAIRI I TRADITËS SË TREGANIT

Në hapjen e sezonit kurativ në Tregan, për herë të parë Bashkia Elbasan ka promovuar edhe panairin e turizmit kurativ në këtë zonë.

Llixhat e Treganit, janë të famshme në të gjithë Shqipërinë e më tej, për vlerat kurative që mbartin. Bashkia Elbasan për të promovuar më shumë këtë zonë, këtë vit ka promovuar edhe panairin ku banorët e zonës kanë shpalosur punimet e tyre artizanale.

Me qëllim kthimin në traditë të kësaj dite, kryetari i Bashkia Elbasan Gledian Llatja ka marrë pjesë në celjen e sezonit si edhe të panairit të parë në këtë zonë.

Tashmë në Llixhat e Elbasanit është kulmi i sezonit kurativ dhe nga viti në vit numuri i turistëve dhe pushesve që vijnë në këtë zonë ka ardhur në rritje. Për këtë qëllim, z. Llatja shprehu bindjen se edhe këtë sezon pritet të ketë një rritje të shtuar të turistëve dhe pushuesve.  

“Jemi në kulmin e sezonit, dhe presim të kemi një sezon të shtuar këtë vit, gjatë muajit maj dhe fillimit të qershorit, për t’u kthyer më pas fuqishëm në shtator- dhjetor, si sezonet tradicionale të turizmit kurativ në zonën e Treganit.

Ky është panairi i parë që ne promovojmë traditën kulturën por edhe bizneset e zonës së Treganit, kemi pasur një rritje të turistëve vitet  e fundit, si edhe rritjen e kapaciteteve të hoteleve në Tregan”, tha Llatja, ndërsa ka uruar që të gjithë turistët e ardhur nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi si dhe vende të tjera të kalojnë sa më mirë në Llixha por edhe në Elbasan.

Duke e vënë theksin edhe një herë tek asetet kulturore, ato të trashëgimisë, arkeologjisë etj, kreu i bashkisë ftoi të gjithë turistët që të njihen më nga afër me atraksionet turistike në Elbasan, duke filluar me Treganin, Gjinarin, Funarin por edhe qytetin e Elbasanit, jo vetëm me sitet e saj kulturore e arkeologjike por edhe kulinarinë si edhe turizmin që ofron qyteti.

Në Llixha trajtohen sëmundje të shumta të reumatizmës, rrugëve të frymëmarrjes, tensionit, të lëkurës etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike gjithashtu.

Pranvera dhe Vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave. Ato frekuentohen nga mijëra pacientë por edhe turistë në vit.

PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT LOKAL DHE POLITIKËS NDEROJNË SAKRIFICËN E DËSHMORËVE DHE UROJNË PASHKËT ORTODOKSE

Përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal, Kryetari i bashkisë Gledian Llatja,drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, deputetja Evis Kushi, prefektja Maklinda Perriu,  si edhe deputetë të qarkut të Elbasanit,  kryen sot homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në përkujtim të të rënëve për lirinë e atdheut. Kjo ditë përkujton edhe me festën e Pashkëve ortodokse.

Homazhe para lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, kanë bërë edhe veteranë të qytetit, dhe familjarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit.

Pas ceremonisë së homazheve, shoqëruar ng abanda frymore “Afërdita”, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri ka uruar mbarë shqiptarët ditën e dëshmorëve dhe pashkët otodokse.

“Në këtë ditë të shënuar që përkon edhe me festën e pashkëve ortodokse, ne duhet t’i urojmë të gjithë qytetarëve të Elbasanit por edhe shqiptarëve, pasi janë ditë të pa harruara. Njëra ka të bëjë me aspketin religjoz, tjera me një ngjarje të rëndësishme kombëtare, me përkujtimin që kanë bërë shqiptarët ndër vite, Dita e Dëshmorëve.

 Është një ditë e vecantë, përulemi me respekt përpara sakrificës njerëzore, por njëkohësisht edhe ajo që lidhet me festën e besimtarëve ortodoksë, është një ditë që të gjithë shikojnë me shpresë nga e ardhmja, një ditë për të reflektuar njeriu, dhe mbi të gjitha për të parë më të mirën njerëzore. Gëzuar Pashkët, gëzuar 5 Majin, dhe pacim vetëm të mira në këtë shqipëri, e cila përtej përpjkejeve që bën, arrin rezultate, ndryshon përditë, dhe populli shqiptar ka ditët më të mira në historinë e tij.

Edhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja në urimin e tij, uroi 5 Majin, “ditën e sakrificës së shumë të rinjve, të cilët kanë dhënë jetën që ne sot të jemi më mirë. Gjithashtu edhe një urim për besimtarët ortodoksë, Gëzuar Pashkët, ardhshin të bardha dhe të mbara”.

Dita e Dëshmorëve të Kombit njihet si dita e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

BESIMTARËT ORTODOKSË FESTOJNË PASHKËN, KRYHET PROCESIONI I EPITAFIT NË ELBASAN

Kisha Ortodokse e lavdëron të Shtunën e Madhe si ditën e shtatë më të bekuar, në të cilën Fjala e Zotit shtrihet në varr si një njeri i vdekur, por në të njëjtën kohë e shpëton botën.

Ndaj edhe në qytetin e Elbasanit është zhvilluar procesioni i epitafit ku kanë qenë të pranishëm edhe qindra besimtarë ortodoksë shoqëruar nga banda frymore “Afërdita”.

 Besimtarët ortodoksë festojnë mesnatën e sotme Pashkën, një ditë e shënuar e kalendarit fetar.

Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.

“Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin në vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

INAGUROHET PROGRAMI IPA 3

Është inaguruar në Elbasan programi IPA 3 për bashkëpunimin ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Në këtë inagurim ka marrë pjesë kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja, përfaqësues të vetëqeverisjes vendore, akademikëve dhe ekspertë lokalë.

“Ky takim është një hap tjetër drejt nxitjes së lidhjeve ndërkufitare, duke promovuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përpjekjet tona për integrimin në BE përmes projekteve të përbashkëta”, pohon z. Llatja.

Qëllimi i programit është të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen socio-ekonomike, me fokus përmirësimin e rajonit ndërkufitar nëpërmjet turizmit të qëndrueshëm, trashëgimisë kulturore dhe iniciativave të adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.

PASARDHËSIT E AUTORIT TË ABETARES SË PARË SHQIPE NË KOSOVË MEHMET GJEVORI, FIRMOSIN NËNSHTETËSINË SHQIPTARE

Pasardhësit e autorit të Abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori, janë betuar përpara Kushtetutës së Shqipërisë, duke firmosur kështu nënshtetësinë shqiptare.

Kjo ceremoni modeste është kryer në zyrën e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja i cili ishte i pranishëm në betimin e Shkëlzen Gjevori dhe vajzës së tij Ermira Hatipi (Gjevori).

Për kreun e bashkisë “ky moment ishte një emocion i veçantë, që djali dhe mbesa e Mehmet Gjevori, një prej personaliteteve të qytetit të Elbasanit, pishtar i devotshëm i arsimit shqiptar, që ia kushtoi jetën zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Shqipëri dhe në Kosovë, të jenë qytetarët më të rinj të qytetit të Elbasanit”.

Mehmet Gjevori në vitin 1941 iu përgjigj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi, për të shkuar me shërbim në Kosovë. Ai njihet si autori i Abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë të botuar në vitin 1946 dhe i shumë teksteve shkollore. Mehmet Gjevori i lindur në Elbasan shërbeu në Kosovë për plot 67 vjet duke ia kushtuar të gjithë jetën e tij zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë.

“Falënderojmë Shkëlzenin dhe Ermirën që sot iu bashkuan qytetit të tyre të origjinës, duke mbetur shpresëplotë për kontributin e tyre për këtë qytet ashtu sikundër edhe familjarët e tyre”, shtoi Llatja.

Në Kosovë Mehmet Gjevori nderohet edhe sot si babai i abetares shqipe, por edhe si mësuesi i mësuesve shqiptarë në Kosovë. Ai ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare dhe prehet në varrezat e Prishtinës.

INVESTIM I RI NË IMPIANTIN E FERROKROMIT TË ALBCHROME NË ELBASAN

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan, ku në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, nisi funksionimin investimi i ri në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome.

Rama vizitoi nga afër furrat e Impiantit të Ferrokromit dhe mensën e punëtorëve, të cilët përveç pagës mesatare 900euro kanë tanimë edhe ushqimin falas në vendin e punës.

Investimi i ri në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome në Elbasan garanton respektimin e të gjitha standardeve mjedisore dhe sociale, si detyrim i të gjitha sipërmarrjeve që të mbrojnë nga ndotja hapësirën e përbashkët.

Fabrika e pastrimit të pluhurit, investim i YILDIRIM Group, ka të përfshira mjediset e mensës dhe dhomat e zhveshjes për punonjësit, si tregues i angazhimit të kompanisë për përmirësimin e kushteve të vendit të punës dhe respektimin e standardeve të sigurisë dhe shëndetit të BE-së, në përputhje me qëllimet e saj mjedisore, sociale dhe qeverisëse (ESG).

DY TALENTËT NGA ELBASANI TRIUMFOJNË NË KONKURSIN KUIZ EUROPIAN TË PARASË NË BRUKSEL

Edea dhe Martini, janë dy talentët nga Elbasani të cilët u paraqitën denjësisht në konkursin kombëtar të Kuiz Europian të Parasë në Bruksel.

Dy të rinjtë fituan këtë konkurs duke përfaqësuar me dinjitet qytetin e tyre por edhe Shqipërinë duke konkuruar me mijëra bashkëmoshatarë nga 30 vende të Europës.

14 vjeçarët nga Elbasani u përballën me një garë të fortë, ku merrnin pjesë edhe nxënës të shkollave profesionale me drejtim financë e kontabilitet, por eksperienca rezultoi e shkëlqyer.

European Money Quiz synon të rrisë kulturën financiare të të rinjve dhe t’i përgatisë për sfidat ekonomike.

NJË LULISHTE ME TRËNDAFILA NË BASHKINË E QYTETIT, MBJELLË NGA FËMIJËT

Kopshtet dhe sistemi i parashkollorit, ndër të tjera të mëson edhe për rëndësinë e imazhit të gjelbër në komunitetin ku jeton.

  Në këtë kuadër parashkollori “Ali Agjahu” dhe kopshti Nr 9 në Elbasan me ndihmën e mësueseve të tyre, në prani edhe të kryetarit të bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, kanë mbushur oborrin para insitutcionit të bashkisë Elbasan në qendër të qytetit, plot me 150 rrënjë trëndafila, duke krijuar kështu një kopësht të vogël.

Jo vetëm se mësojnë dije të reja rreth luleve dhe gjelbërimit në qytet, por ato mësojnë edhe se si të kujdesen për lulet.

 Madje cdo lule e mbjellë nga duart e tyre të vogla, vetë fëmijët i vendosën edhe nga një emër duke premtuar se do të kujdesen cdo ditë për kopshtin e trëndafilave krijuar në bashkinë e Elbasanit.

Nga ana e tij kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili ka kohë që ka ndërramrë një fushatë për mbjelljen e fidanëve dhe luleve kudo në qytet por edhe në fshat, ka përgëzuar fëmijët për këtë nismë, që sipas tij shërben për të gjithë.

“Ne kemi gati një muaj që kemi rifilluar pastrimin në Elbasan, për shtrimin e sipërfaqeve të gjelbërta. Po vazhdojmë tashmë në qytet me shtimin e luleve, me shtimin e trënfafilave në shumë nga lulishtet tona të qytetit”, tha ai.

Qyteti i Elbasanit në këtë stinë pranvere gëlon nga lulet shumëngjyrëshe kudo, në parqet në qendër të qytetit dhe në lagje, si edhe në cdo lulishte, duke rikthyer traditën e qytetit të luleve.

PROMOVOHET LIBRI “FLETË NGA JETA IME”, KUJTIMET E DHIMITËR SHUTERIQI

Në kuadër të ditës botërore të librit dhe të drejtës së autorit, biblioteka publike “Qemal Baholli”, ka hapur dyert për të promovuar librin “Fletë nga jeta ime” e autorit Dhimitër Shuteriqi.

Në këtë event, kanë marrë pjesë shkrimtarë, intelektualë të qytetit, dashamirës të librit, të afërm të autorit, si edhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi.

Në promovim është bashkëbiseduar për kujtimet e Shuteriqit, ku u vu në dukje fakti se në “Fletë nga jeta ime”, autori reflekton duke na paraqitur disa nga momentet personale të jetës së tij, dashuria për njerëzit dhe vendin e tij, e cila herë – herë përzihet me trishtim dhe zhgënjim.

Dhimitër Shuteriqi është një personalitet i shquar i historisë letrare e kulturore.

 “Fletë nga jeta ime”, një libër me kujtime i autorit plot dashuri për vendin e tij dhe njerëzit, ku lexuesi mund të qeshë, të reflektojë, takon njerëz të famshëm e të thjeshtë.

FËMIJËT E KOPSHTEVE AKTIVITETE NË DITËN E TOKËS

Fëmijët e kopshteve të qytetit, pasi janë njohur nga edukatorët e tyre rreth Ditës së Tokës, kanë organizuar edhe një sërë aktivitetesh për këtë ditë.

Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin fëmijët kanë krijuar punimet e tyre me mesazhin se të gjithë duhet të kujdesemi për tokën, dhe mjedisin ku jetojmë, duke i ekspozuar në oborret e kopshteve.

Fëmijët realizuan vizatime të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me jetesën në Tokë, çfarë e bën Tokën planet të lumtur dhe çfarë e ndot atë.

Nëpërmjet këtij aktiviteti, fëmijët brezi i ardhshëm i vendit mësuan se Toka është planeti ynë dhe duhet ta ruajmë atë.