Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Buxhetimi me pjesëmarrje në Bradashesh, prioritet rikthimi i ish-Metalurgjikut në zonë ekonomike dhe recreative.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje ka vijuar në njësinë administrative Bradashesh, aty ku ndodhet edhe gjigandi i dikurshëm industrial, ish-Metalurgjiku.

Në takimin me banorët, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shoqërua nga deputetja e zones Sara Mile, ku u diskutua për projektet e realizuara, prioritetet për vitin e ardhshëm dhe të ardhmen e zonës industriale.

Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka nisur një proces të gjerë diskutimesh për hartimin e masterplanit të zonës së ish-Metalurgjikut, me synimin për ta shndërruar atë në një hapësirë të kombinuar prodhimi dhe rekreative, në shërbim të banorëve të Bradasheshit dhe të gjithë Elbasanit.

“Kemi filluar një projekt të madh për ta kthyer zonën industriale të Metalurgjikut në një ambient, jo vetëm për prodhim, por edhe për rekreativitet.

Po punojmë që të zhvillojmë modelet më të mira të ekonomisë së gjelbër. Kemi bashkëpunuar ngushtë me banorët për sistemime, hapje rrugësh, rrugët e arave, si dhe për zgjidhjen e problematikave të përditshme,” tha Llatja.

Kryebashkiaku shtoi se Bashkia Elbasan po vijon me rritje të buxhetit falë performancës së mirë dhe menaxhimit efikas të të ardhurave, ndërsa theksoi se çdo projekt i propozuar nga banorët do të vlerësohet sipas prioriteteve reale të zonës.

Nga ana e saj, deputetja Sara Mile vlerësoi procesin e buxhetimit me pjesëmarrje si një tregues të qartë të demokracisë vendore, ku qytetarët përfshihen drejtpërdrejt në vendimmarrje.

“Buxhetimi me pjesëmarrje është një praktikë që ka dhënë rezultate konkrete. Bashkia e Elbasanit po tregon se dëgjon qytetarët dhe përcakton prioritetet sipas nevojave të tyre. Ndaj garantoj se nga ana e qeverisë qendrore do të mbështesim çdo projekt që ndihmon zhvillimin e zonës,” deklaroi Mile.

Takimi në Bradashesh është pjesë e turit të konsultimeve publike të Bashkisë Elbasan, për përgatitjen e buxhetit të vitit të ardhshëm, me synimin që çdo vendim të bazohet në nevojat reale të komunitetit.

NJOFTIM: Ndërhyrje në qendrën e qytetit (22–29 tetor)

Bashkia e Elbasanit po vijon punimet për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen e këmbësorëve në qendër të qytetit.

Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve, gjatë datave 22–29 tetor, do të realizohet zgjerimi i trotuarit në një segment të rrugës “Qemal Stafa”. Për këtë arsye, qarkullimi në këtë segment do të ngushtohet përkohësisht, për të mundësuar zhvillimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe efikase.

Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të Bashkisë Elbasan për të krijuar një qytet më të aksesueshëm, të gjelbër dhe miqësor për këmbësorët dhe biçikletat, në bashkëpunim me partnerët zhvillimorë gjermanë (GIZ).

Bashkia Elbasan kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për çdo shqetësim të përkohshëm që mund të krijohet gjatë punimeve dhe i falënderon ata për bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e hapësirave publike.

Për çdo pyetje apo shqetësim, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 054 252 246.

Elbasani feston muajin e librit, aktivitete të larmishme në Bibliotekën “Qemal Baholli”

Në kuadër të Muajit të Librit, Biblioteka “Qemal Baholli” e Elbasanit po zhvillon një sërë aktivitetesh kulturore kushtuar librit dhe leximit, duke e kthyer këtë muaj në një festë të dijes dhe të kulturës.

Gjatë këtyre ditëve, në ambientet e bibliotekës janë organizuar takime me autorë vendas e të rinj letrarë, promovime librash, lexime publike dhe bashkëbisedime me lexues, të cilat kanë sjellë më pranë komunitetit botën e librit dhe të fjalës së shkruar.

Këto aktivitete synojnë të nxisin dashurinë për leximin dhe librin, si dhe të krijojnë një hapësirë të gjallë kulturore, ku qytetarët e çdo moshe mund të shprehen, të frymëzohen dhe të shkëmbejnë ide.

 Një ndër veprimtaritë më të fundit ishte vizita e nxënësve të shkollës “Jorgji Dilo” në Bibliotekën “Qemal Baholli”. Fëmijët u njohën nga afër me këtë institucion të rëndësishëm kulturor, që hapi dyert për herë të parë në vitin 1935 dhe që sot numëron mbi 200,000 vëllime librash dhe periodikësh, duke mbetur një nga pasuritë më të çmuara të qytetit të Elbasanit.

Në çdo aktivitet, ndjehet atmosfera e dashurisë për librin dhe vlerësimi për autorët që e pasurojnë kulturën tonë. Këto ditë plot  ide të reja tregojnë se libri mbetet udhërrëfyesi më i mirë në rrugën e dijes dhe të zhvillimit shoqëror.

Bashkia Elbasan vijon të mbështesë çdo nismë që promovon kulturën, artin dhe leximin, duke e konsideruar Bibliotekën “Qemal Baholli” një qendër të rëndësishme të jetës kulturore dhe intelektuale të qytetit.

Buxhetimi me Pjesëmarrje në Rajonin Nr. 3, qytetarët propozojnë, bashkia investon.

Vijon procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje, një nismë e rëndësishme e Bashkisë Elbasan, ku qytetarët janë pjesë aktive e vendimmarrjes për investimet në komunitetet e tyre. Takimi i radhës u zhvillua në Rajonin Nr. 3, me një pjesëmarrje të gjerë të banorëve të zonës, të cilët shprehën interesin dhe angazhimin e tyre për projektet dhe investimet që pritet të realizohen në të ardhmen.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi angazhimin e komunitetit, duke theksuar se prania e qytetarëve tregon besimin dhe bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite përmes këtij procesi.

 “Prania juaj sot tregon se procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka fituar besimin e komunitetit dhe është një mekanizëm i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. Sot flasim për buxhetin dhe paketën fiskale, sepse të dyja janë të lidhura, nuk mund të kemi investime pa të ardhura”, u shpreh Llatja.

Ai solli në vëmendje një sërë investimesh të realizuara në Rajonin Nr. 3, si rikonstruksioni i shkollës ku u zhvillua takimi, përmirësimi i shesheve të pallateve, ndërhyrjet në rrugët “Mefail Biçaku”, “Iljaz Kosova” dhe “Ahmet Gashi”, si edhe punimet në zonën e Fushë Mbretit dhe në NSHU. Po ashtu janë realizuar investime në kanalizimet e ujërave të zeza pranë fabrikës së sfungjerit dhe pallatet me system kapot, si rezultat i kërkesave të banorëve të kësaj zone.

Llatja theksoi gjithashtu përparimin në infrastrukturën arsimore, ku janë rikonstruktuar disa shkolla të rëndësishme, përfshirë “Kostandin Kristoforidhi”, “Jorgji Dilo” dhe shkollat industrial, kërkesa që kanë dalë nga buxhetimi me pjesëmarrje, ndërsa gjimnazi “Dhaskal Todri” pritet të nisë rikonstruksionin së shpejti.

Kryetari Llatja foli gjithashtu për zhvillimin e qytetit dhe turizmit, duke theksuar rëndësinë e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit si një qendër historike dhe kulturore që po merr vëmendje të veçantë në projektet e reja të Bashkisë. Ai shtoi se paralelisht me këto ndërhyrje, po punohet për zhvillimin ekonomik të qytetit përmes projekteve të mëdha si masterplani për Kombinatin Metalurgjik, si edhe transformimi i ish Kombinatit të Drurit në një zonë të lirë teknologjike dhe industriale, një projekt që po ecën me sukses në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

“Kemi bërë shumë punë të mira dhe do të vazhdojmë të investojmë njësoj si në Rajonin Nr. 3, ashtu edhe në të gjithë qytetin e Elbasanit,” u shpreh më tej Kryetari Llatja, duke theksuar angazhimin për të çuar përpara projektet që përmirësojnë jetesën e qytetarëve.

Në përfundim të takimit, qytetarët e Rajonit Nr. 3 votuan prioritetet kryesore, të cilat do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026, duke garantuar që zëri i komunitetit të jetë në qendër të planifikimit dhe investimeve të ardhshme të Bashkisë Elbasan.

Përmbyllet projekti “Zëri i Gjelbër i Rinisë”

Është përmbyllur projekti “Ecoyouth – The Green Voice of Youth”, një nismë që synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në zhvillimin dhe zbatimin e politikave mjedisore në Shqipëri. Projekti u mbështet nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në kuadër të Western Balkans Youth Lab, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Mjedisit dhe partnerë të tjerë lokalë e kombëtarë.

Ndër rezultatet kryesore të projektit u veçuan;Përzgjedhja e tre Green Seat Ambassador, që do të përfaqësojnë zërin e gjelbër të rinisë;

 Hartimi i një manuali praktik për përfshirjen e të rinjve në politikat mjedisore.

 Fuqizimi i Këshillave Vendorë Rinorë në Elbasan, Prrenjas dhe Librazhd.

Në kuadër të projektit, të rinjtë nga Elbasani, Prrenjasi dhe Librazhdi u angazhuan aktivisht në takime konsultative, trajnime dhe fushata ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit. Ata u shndërruan në zëra aktivë të komunitetit, duke kontribuar me ide konkrete për një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm.

Gjatë aktivitetit përmbyllës, Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Kludia Krasnika, vlerësoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se:

 “Të rinjtë janë motori i ndryshimit dhe kontributi i tyre është thelbësor për ndërtimin e një qyteti dhe vendi më të gjelbër. Projekte si ‘Ecoyouth’ tregojnë se bashkëpunimi midis institucioneve dhe rinisë sjell rezultate të prekshme për komunitetin.”

Bashkia Elbasan vijon të mbështesë nisma që promovojnë qytete të gjelbra, pjesëmarrje rinore dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Banorët e Shushicës përcaktojnë investimet për vitin 2026.

Në Njësinë Administrative Shushicë u zhvillua takimi i radhës i Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, me banorët e zonës, në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje. Në takim morën pjesë gjithashtu Kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, Kryetari i Njësisë Administrative Sokol Sinani, përfaqësues të këshillit dhe banorë të fshatrave të njësisë.

Kreu i bashkisë Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka hyrë në një fazë të re investimesh, me mbështetje nga qeveria dhe fonde të siguruara përmes lobimit vendor.

“Prioritet për vitin e ardhshëm është lidhja e Shushicës me urën e Byshekut dhe ndërtimi i bypass-it, që do ta kthejë Shushicën në një lagje të Elbasanit.

Kemi projekte të rëndësishme në infrastrukturë, në arsim dhe në sistemet e ujitjes e energjisë,” deklaroi Llatja.

Ai shtoi se brenda nëntorit do të nisin punimet për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në Shushicë, ndërsa po punohet edhe për një shkollë shtesë në Hajdaran.

Kryebashkiaku Llatja vuri në dukje se Bashkia Elbasan po punon për zgjidhjen përfundimtare të problematikave të mbetjeve në zonat rurale.

“Kemi nisur fazën e parë me vendosjen e koshave dhe pritet të mbërrijnë edhe 200 të tjerë, bashkë me mjetet e reja të pastrimit.”, theksoi Llatja.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Lytfi Lala, vlerësoi punën e bërë gjatë vitit 2025 dhe bashkëpunimin me qytetarët. Ai theksoi se si bashki dhe këshill janë të angazhuar të japin llogari për çdo veprim dhe investim të bërë.

Në përmbyllje të takimit, banorët votuan për prioritetet kryesore të investimeve që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tyre më emergjente për zonën.

Finalet e Kampionatit të Volejbollit për Shkollat 9-Vjeçare në Qytetin e Elbasanit

Në kuadër të promovimit të sportit dhe aktiviteteve rinore, Qendra Kulturore e Fëmijëve Elbasan, në bashkëpunim me Klubin Shumësportësh Elbasan dhe Zyrën Vendore Arsimore Elbasan, zhvilluan me sukses finalet e Kampionatit të Volejbollit për djem dhe vajza midis shkollave 9-vjeçare të qytetit.

Pas një gare plot emocion, pasioni dhe performanca të shkëlqyera sportive, Kupa e Kampionit u fitua nga:

Shkolla “Jorgji Dilo” – Djem

 Shkolla “Abdyl Paralloi” – Vajza

Gjatë aktivitetit u vlerësuan gjithashtu ekipet nënkampione, si dhe sportisti dhe sportistja më e mirë e turneut, të cilët u dalluan për përkushtimin dhe shpirtin e tyre sportiv.

Në këtë event mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi fituesit, duke vlerësuar rëndësinë e sportit si një pjesë thelbësore e edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve.

“Sporti është mënyra më e bukur për të mësuar bashkëpunimin, disiplinën dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Elbasani ka një traditë të shkëlqyer sportive dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm brezin e ri që e do sportin dhe jetën aktive,”  u shpreh z. Llatja gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Finalet e kampionatit shënuan një hap përpara në përfshirjen e nxënësve në aktivitetet sportive, duke forcuar traditën e qytetit të Elbasanit si një qytet me pasion për sportin.

Banorët e Treganit vendosin prioritetet e investimeve përmes buxhetimit me pjesëmarrje.

Në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe deputetja Evis Kushi zhvilluan një takim me banorët e Njësisë Administrative Tregan.

 Takimi u mbajt në ambientet e shkollës së re “Jonuz Carçiu”, një nga investimet më të rëndësishme të realizuara në këtë zonë gjatë vitit paraardhës.

Kryebashkiaku  Llatja, theksoi se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar investime të konsiderueshme në këtë njësi:

“Vetëm në këto dy vite, në Tregan kemi realizuar mbi 2 milionë euro investime në infrastrukturë shkollore dhe rrugore,”  u shpreh ai.

Duke u ndalur fillimisht te shkolla “Jonuz Carçiu”, ku u zhvillua edhe takimi, Llatja shtoi se “kjo shkollë ka qenë një nga kërkesat më të shumta të banorëve. Ishte një shkollë problematike për shumë vite, por tashmë kemi arritur ta kthejmë në një institucion modern që u shërben fëmijëve të zonës.”

Përmirësimin e rrugëve dhe infrastrukturës në Tregan, ishte një tjetër aspekt ku u ndal Llatja duke shtuar se “janë realizuar rruga e Kyçykëve, rrugët e brendshme të fshatit Tregan, si edhe pjesa e dytë e vazhdimit të rrugës që lidh Treganin dhe fshatin Kyçyk me Cërrikun. Të gjitha këto janë investime që po e zhvillojnë ndjeshëm zonën.” 

Ai vuri theksin te potenciali i madh zhvillimor i zonës, veçanërisht në turizëm.

“Në Tregan kemi një potencial të madh, ujin termal të Llixhës, turizmin dhe numrin më të madh të shtretërve në Bashkinë e Elbasanit. Do ta mbajmë Treganin në qendër të vëmendjes dhe do të mbështesim komunitetin për të vijuar punët e mira e për të zgjidhur problematikat që ekzistojnë,” u shpreh Llatja.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, ai shtoi se, “synimi ynë është ta zhvillojmë Treganin jo vetëm nga aspekti infrastrukturor, por edhe ekonomik, duke shfrytëzuar potencialin që ka sot me biznese të reja, hotele të reja dhe mundësi të shtuara në kapacitete akomoduese. Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për punët publike.”

Në vijim, Kryetari njoftoi edhe projektet e reja që pritet të nisin së shpejti.

“Shumë shpejt do të nisë rruga e Bajramëve, ashtu si do të vijojmë me prioritetet tona për të lidhur edhe fshatrat e tjerë. Prioritet tona për vitin tjetër janë rruga nga Tregani në Trepsenisht dhe Tudan-Mjekës nga të dyja krahët,”  theksoi ai.

Deputetja Evis Kushi vlerësoi potencialin e madh zhvillimor të zonës dhe rëndësinë e përfshirjes së banorëve në procesin e vendimmarrjes.

“Është shumë e rëndësishme që banorët janë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Vetëm përmes pjesëmarrjes aktive mund të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm për çdo fshat të kësaj njësie,” u shpreh Kushi.

Në përfundim të takimit, banorët votuan prioritetet kryesore të investimeve që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje mbetet një model demokratik që u jep qytetarëve mundësinë të vendosin për zhvillimin e komunitetit të tyre.

Investime të reja për Rajonin Nr. 2, Llatja zbulon projektet që po nisin në Elbasan.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje vijon në Rajonin Nr. 2 të Bashkisë Elbasan, ku banorët patën mundësinë të shprehin prioritetet dhe nevojat e komunitetit të tyre.

Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe deputetja Aulona Bylykbashi, të cilët theksuan rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe në planifikimin e investimeve publike.

Kryetari Gledian Llatja bëri një përmbledhje të investimeve të realizuara dhe atyre në proces, duke përmendur ndërhyrjet në rrugë, kanalizime, sistemin e fasadave me kapot në pallate, ndërtimin e terreneve sportive dhe hapësirave të gjelbra, si edhe hapjen e qendrës së parë për të moshuarit.

Ai gjithashtu njoftoi për projektet në zhvillim, duke theksuar se, “ Shkolla ‘Onufri’, një shkollë e rikonstruktuar plotësisht, e cila ishte edhe një kërkesë e banorëve. Në Rajonin Nr. 2 kemi bërë shumë punë të mira, si në qendër ashtu edhe në periferi. Kemi vijuar me sistemin e kapoteve në shumë pallate dhe do të vazhdojmë me investime të tjera. Formati i buxhetimit me pjesëmarrje është shumë i rëndësishëm, sepse u jep mundësi qytetarëve të votojnë prioritetet e tyre.”

Në vijim, Llatja shtoi se një nga projektet më të mëdha në zhvillim është krijimi i një hapësire të madhe sportive dhe rekreative, me një sipërfaqe prej 22 mijë metrash katrorë, ku ka nisur puna për ndërtimin e një projekti modern që do të përfshijë, dy fusha sportive (kalçeto, basketboll, volejboll, tenis), kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë e të moshuar.

Kryebashkiaku bëri me dije se është gati projekti për rikonstruksionin e Markatës, i cili pritet të nisë së shpejti.

 “Do të shohim mundësinë që vitin e ardhshëm, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ose përmes projekteve të ndryshme, ta financojmë këtë investim me vlerë të konsiderueshme. Markata duhet të kthehet në një qendër të fortë ekonomike për qytetin”  u shpreh Llatja.

Deputetja Aulona Bylykbashi vlerësoi bashkëpunimin mes banorëve dhe përfaqësuesve të Bashkisë, duke theksuar se investimet e realizuara kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës në lagjet e Rajonit Nr. 2.

Gjatë takimit, banorët paraqitën disa kërkesa konkrete, për të cilat Kryetari Llatja siguroi se do të merren në konsideratë në planin e investimeve të ardhshme.

Është vënë re një pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve, me një prani të madhe grash dhe vajzash, ç’ka tregon angazhimin e komunitetit në vendimmarrje.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje mbetet një praktikë e rëndësishme e Bashkisë Elbasan, që garanton transparencë, përfshirje qytetare dhe zhvillim të qëndrueshëm për çdo lagje të qytetit.

Njoftim: Ndryshim në kalendarin e Buxhetimit me Pjesëmarrje

Bashkia Elbasan njofton qytetarët për një ndryshim në kalendarin e takimeve të programit “Buxhetimi me Pjesëmarrje”, që po zhvillohet në të gjitha rajonet e Bashkisë me qëllim përfshirjen e komunitetit në vendimmarrjen mbi prioritetet e zhvillimit.

Në vijim, oraret e përditësuara për takimet e datës 23 tetor 2025 janë si më poshtë:

  • Rajoni 5️ – ora 17:00 dt. 23 Tetor
  • Rajoni 6️ – ora 18:30 dt. 23 Tetor

Bashkia Elbasan falënderon qytetarët për pjesëmarrjen aktive, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, si dhe për kontributin e tyre të vlefshëm në ndarjen e ideve dhe propozimeve që ndihmojnë në ndërtimin e një buxheti sa më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për komunitetin.

Ky proces mbetet një shembull i dialogut të hapur midis Bashkisë dhe qytetarëve, në funksion të zhvillimit të balancuar dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në çdo rajon të Elbasanit.

Bashkia Elbasan