Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Dita e Alfabetit;  Elbasani nderon një nga momentet më të rëndësishme të identitetit kombëtar

Sot, më 22 nëntor, shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga ngjarjet historike më domethënëse në rrugëtimin tonë kombëtar. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 vendosi unifikimin e alfabetit shqip dhe hapi rrugën e zhvillimit arsimor, kulturor e shoqëror të shqiptarëve kudo.

Elbasani, si një prej qyteteve me traditë të hershme arsimore dhe kulturore, e ka ndjerë gjithmonë fuqinë e gjuhës dhe dijes. Qyteti ynë ka kontribuar historikisht në formimin e identitetit kombëtar përmes institucioneve arsimore, figurave të shquara dhe vlerave që ka përçuar brez pas brezi.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja pohon se “ në këtë ditë të veçantë, Bashkia Elbasan rikujton rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe si një pasuri e çmuar e kombit. Ne mbështesim çdo nismë kulturore e edukative që forcon lidhjen e të rinjve me traditat gjuhësore, historinë dhe kulturën tone”.

Me aktivitete të zhvilluara në institucionet arsimore, ekspozita, takime kulturore dhe programe edukative, Elbasani vijon të jetë një shembull i përkushtimit ndaj dijes dhe kulturës shqiptare.

Gjuha është identitet. Sot, nderojmë alfabetin që na bashkon.

Gëzuar Ditën e Alfabetit!