Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Dita Ndërkombëtare e Edukimit Mjedisor; Bashkia e Elbasanit angazhohet për një mjedis më të pastër dhe të gjelbër

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor, Bashkia e Elbasanit vijon të fuqizojë të rinjtë dhe komunitetin shkollor përmes aktiviteteve që nxisin mbrojtjen e mjedisit, riciklimin dhe gjelbrimin e qytetit.

Sot, në shkollën 9-vjeçare “Fadil Gurmani” u zhvillua një aktivitet ndërgjegjësues me pjesëmarrjen aktive të nxënësve të klubit “Zëri i Natyrës”, në bashkëpunim me Qeverinë e Nxënësve, ku nxënësit mbledhën mbeturina, i ndanë sipas llojit, vendosën mesazhe ndërgjegjësuese për shokët e tyre dhe sollën edhe koshë riciklimi për shkollën, duke kontribuar në përmirësimin e mjedisit shkollor.

Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së mbetjeve dhe angazhimit të të rinjve për një mjedis më të pastër.

Gjithashtu, ishin të pranishme Drejtoresha e Drejtorisë së Mjedisit në Bashkinë Elbasan, Drejtoresha e ZVA, si dhe përfaqësues të organizatës Save the Children, të cilët kontribuan me vendosjen e koshave për ndarjen e mbetjeve: plastikë, qelq dhe metal.

Qëllimi i aktivitetit ishte sensibilizimi i nxënësve dhe komunitetit shkollor për rëndësinë e ndarjes së mbetjeve, riciklimit dhe mbrojtjes së mjedisit, si dhe fuqizimi i të rinjve si aktorë të ndryshimit pozitiv në komunitet.

Ky program do të shtrihet gjatë vitit 2026 në të gjitha shkollat e Elbasanit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit.

Ky aktivitet tregon angazhimin e përbashkët të Bashkisë, shkollës dhe organizatave partnere për një të ardhme më të gjelbër dhe një mjedis të qëndrueshëm.