Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Drejt përfundimit fusha në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”

Punimet në Kompleksin Sportiv “Shefqet Lamçja” po ecin me ritme të shpejta dhe ndodhen drejt përfundimit, duke i dhënë qytetit të Elbasanit një tjetër hapësirë sportive dinjitoze dhe bashkëkohore, e ndërtuar sipas standardeve moderne.

Është përmbyllur me sukses ndërtimi i bazamentit të fushës, si dhe janë realizuar punimet për sistemin e drenazhimit dhe infrastrukturën e nevojshme për mirëmbajtjen e saj. Gjatë muajit në vijim do të nisë mbjellja e barit natyral, fazë kjo që do t’i japë fushës formën përfundimtare, bën të ditur Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja.

Paralelisht me ndërhyrjet në fushë, po realizohet edhe rikonstruksioni i plotë i dhomave të zhveshjes, të cilat do të ofrojnë kushte më funksionale, komode dhe higjienike për sportistët dhe stafet teknike.

Ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm të Bashkisë Elbasan në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, në kuadër të një strategjie më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës sportive, mbështetjen e talenteve të reja dhe nxitjen e sportit në qytet.