Drejt përfundimit punimet në rrugën “Arif Dardha”, transformimi nga zonë informale në standardet urbane
Punimet për rikonstruksionin e rrugës “Arif Dardha” po i afrohen përfundimit, duke e kthyer këtë zonë nga një hapësirë informale në një lagje të plotë urbane. Gjatë një inspektimi të punimeve, kreu i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e këtij investimi që transformon rrënjësisht infrastrukturën e lagjes.
Z. Llatja theksoi se për shumë vite kjo rrugë vuante nga mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të pijshëm, ishte e ngushtë dhe ndërhyhej vetëm me shtrime provizore me çakull. “Sot, kemi transformuar një zonë tërësisht informale në një rrugë me të gjitha standardet urbane. Janë shtruar kanalizimet e ujërave të zeza dhe të pijshëm, është zgjeruar rruga me trotuare dhe sistem ndriçimi, duke e bërë atë lehtësisht të qarkullueshme për mjetet”, tha ai.
Gjithashtu, një pjesë e punimeve përfshinë dhe ndërtimin e mureve rrethuese për shtëpitë që më parë ishin të rrethuara me gardhe të improvizuara. “Banorët kanë bashkëpunuar dhe e kemi kthyer këtë rrugë në një standard të plotë urban, duke transformuar edhe oborret e tyre,” shtoi Llatja.
Drejtuesi politik Damian Gjiknuri vlerësoi punën e kryer, duke thënë se ky investim përmbush premtimet e dhëna dhe është një tregues i qartë i përkushtimit të Bashkisë Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës edhe pas fushatës zgjedhore. Ai falënderoi ekipin e bashkisë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm.
Banorët e zonës shprehën mirënjohjen e tyre për këtë ndërhyrje, duke theksuar se është hera e parë pas më shumë se 30 vitesh që një projekt ka transformuar lagjen e tyre.