Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 1 Korrik 2026

Bashkia Elbasan workshop për transformimin dixhital të shërbimeve publike

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua një workshop në kuadër të projektit “Transformimet Digjitale midis administratës, qytetarëve dhe bizneseve”, pjesë e programit IPA ADRION, me fokus përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe avancimin e proceseve të dixhitalizimit në Njësinë Administrative Gjinar.

Aktiviteti u përshëndet nga nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, ndërsa u drejtua nga grupi i punës përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e projektit, së bashku me ekspertin e IT-së, Elvin Xhimitiku.

Gjatë workshop-it u prezantua analiza e ndërhyrjeve të planifikuara dhe objektivat kryesore të projektit, i cili synon të forcojë transformimin dixhital të marrëdhënieve ndërmjet administratës publike, qytetarëve dhe bizneseve, përmes shërbimeve më efikase, transparente dhe të aksesueshme.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Shoqatës “Tjetër Vizion”, Universitetit të Elbasanit, Qendrës së Formimit Profesional, Dhomës së Tregtisë, drejtorive të Bashkisë Elbasan, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të OGP-së, si dhe institucione e aktorë të tjerë lokalë.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat dhe nevojat aktuale të procesit të dixhitalizimit, duke propozuar ide konkrete për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet administratës, qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.

Në përfundim, eksperti Elvin Xhimitiku prezantoi rekomandimet teknike dhe propozimet që do të shërbejnë si bazë për fazat e ardhshme të zbatimit të projektit.

Përmes kësaj nisme, Bashkia Elbasan synon të ndërtojë shërbime publike moderne, më cilësore dhe më pranë qytetarëve, duke nxitur një administratë më efikase dhe një bashkëpunim më të fortë me komunitetin dhe biznesin.

Koordinim dhe vigjilencë për një sezon veror pa zjarre

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim koordinues me strukturën e kryepleqve të njësive administrative, me fokus menaxhimin e emergjencave civile gjatë sezonit veror.

Në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e zonave pyjore dhe forcimi i mekanizmave të sinjalizimit në kohë për parandalimin e zjarreve. Gjatë takimit u kërkua angazhim maksimal nga të gjitha strukturat vendore, duke vlerësuar rëndësinë e reagimit të menjëhershëm ndaj çdo rasti të dyshuar.

U theksua se bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit është vendimtar për mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore. Në këtë kuadër, gjatë viteve të fundit këtij organizimi i janë bashkuar edhe vullnetarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve.

Pjesëmarrja e tyre ka forcuar kapacitetet e reagimit në terren dhe ka ndihmuar në menaxhimin më efektiv të situatave të emergjencës. Bashkia Elbasan synon të vijojë forcimin e këtij bashkëpunimi për të garantuar një sezon veror sa më të sigurt dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.

Të rinjtë e Elbasanit sollën një mbrëmje magjike muzikore në Muzeun Etnografik

Lulishtja e Muzeut Etnografik të Elbasanit u shndërrua në një skenë të veçantë artistike, ku talentet e reja të qytetit dhuruan një mbrëmje plot emocion, pasion dhe muzikë cilësore.

Aktiviteti, i organizuar nga Drejtoria e Artit dhe Kulturës në kuadër të Ditës Botërore të Muzikës, mblodhi dhjetëra qytetarë, të cilët ndoqën interpretimet e artistëve të rinj në një nga ambientet më karakteristike të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Përmes performancave të tyre, të rinjtë dëshmuan talentin, përkushtimin dhe dashurinë për muzikën, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese. Mbrëmja konfirmoi edhe një herë se Elbasani vijon të kultivojë breza artistësh të talentuar dhe të mbështesë zhvillimin e jetës kulturore.

Në përfundim të aktivitetit u shprehën falënderime për të gjithë artistët e rinj pjesëmarrës, si edhe për profesorët dhe mësuesit, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë çdo ditë në formimin dhe frymëzimin e brezit të ri të artistëve.