Bashkia Elbasan workshop për transformimin dixhital të shërbimeve publike
Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua një workshop në kuadër të projektit “Transformimet Digjitale midis administratës, qytetarëve dhe bizneseve”, pjesë e programit IPA ADRION, me fokus përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe avancimin e proceseve të dixhitalizimit në Njësinë Administrative Gjinar.
Aktiviteti u përshëndet nga nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, ndërsa u drejtua nga grupi i punës përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e projektit, së bashku me ekspertin e IT-së, Elvin Xhimitiku.
Gjatë workshop-it u prezantua analiza e ndërhyrjeve të planifikuara dhe objektivat kryesore të projektit, i cili synon të forcojë transformimin dixhital të marrëdhënieve ndërmjet administratës publike, qytetarëve dhe bizneseve, përmes shërbimeve më efikase, transparente dhe të aksesueshme.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Shoqatës “Tjetër Vizion”, Universitetit të Elbasanit, Qendrës së Formimit Profesional, Dhomës së Tregtisë, drejtorive të Bashkisë Elbasan, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të OGP-së, si dhe institucione e aktorë të tjerë lokalë.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat dhe nevojat aktuale të procesit të dixhitalizimit, duke propozuar ide konkrete për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet administratës, qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Në përfundim, eksperti Elvin Xhimitiku prezantoi rekomandimet teknike dhe propozimet që do të shërbejnë si bazë për fazat e ardhshme të zbatimit të projektit.
Përmes kësaj nisme, Bashkia Elbasan synon të ndërtojë shërbime publike moderne, më cilësore dhe më pranë qytetarëve, duke nxitur një administratë më efikase dhe një bashkëpunim më të fortë me komunitetin dhe biznesin.