Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Koordinim dhe vigjilencë për një sezon veror pa zjarre

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim koordinues me strukturën e kryepleqve të njësive administrative, me fokus menaxhimin e emergjencave civile gjatë sezonit veror.

Në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e zonave pyjore dhe forcimi i mekanizmave të sinjalizimit në kohë për parandalimin e zjarreve. Gjatë takimit u kërkua angazhim maksimal nga të gjitha strukturat vendore, duke vlerësuar rëndësinë e reagimit të menjëhershëm ndaj çdo rasti të dyshuar.

U theksua se bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit është vendimtar për mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore. Në këtë kuadër, gjatë viteve të fundit këtij organizimi i janë bashkuar edhe vullnetarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve.

Pjesëmarrja e tyre ka forcuar kapacitetet e reagimit në terren dhe ka ndihmuar në menaxhimin më efektiv të situatave të emergjencës. Bashkia Elbasan synon të vijojë forcimin e këtij bashkëpunimi për të garantuar një sezon veror sa më të sigurt dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.