Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasan Arena mbushet plot me fëmijë për festën e 1 Qershorit

Sot, në stadiumin “Elbasan Arena”, u zhvillua një aktivitet madhështor me pjesëmarrjen e qindra fëmijëve të kopshteve të qytetit të Elbasanit, të cilët festuan Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja.

Fëmijët, të mbushur me energji e buzëqeshje, interpretuan këngë të ndryshme, kërcime dhe valle tradicionale, duke sjellë atmosferë të gjallë dhe festive në stadium. Gjithashtu, u organizuan edhe aktivitete sportive të larmishme si gara me biçikleta, me skuter, si dhe lojëra të ndryshme argëtuese, të cilat i dhuruan fëmijëve momente të paharrueshme.

Në këtë festë mori pjesë edhe vetë Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe edukatoret për punën e tyre të palodhur, duke uruar të vegjlit për Ditën e 1 Qershorit. Ai e cilësoi këtë festë si një “1 Qershor plot ngjyra, buzëqeshje dhe gëzim për më të vegjlit tanë”.

Ky aktivitet tregoi edhe një herë përkushtimin e institucioneve vendore për të sjellë më shumë gëzim dhe aktivitete argëtuese për fëmijët e Elbasanit.