Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasan, nënshkruhet marrëveshja për rikualifikimin e Kalasë: Do të jetë një motor zhvillimi për qytetin

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Bashkia Elbasan, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV), nënshkruan sot marrëveshjen për rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të qytetit.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Aulona Bylykbashi, theksoi rëndësinë e këtij transformimi, duke e quajtur atë një fillim të ri për qytetin. Ajo shpjegoi se Kalaja ka shërbyer historikisht si një pikë strategjike mbrojtëse, por gjithashtu ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare dhe kulturore për Elbasanin. Bylykbashi theksoi se rikualifikimi i Kalasë është një hap i madh drejt modernizimit të qytetit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

“Thonë se kalatë janë një rikthim tek e shkruara, por unë sot e shoh ndryshe. Për mua, transformimi i Kalasë do të jetë një fillim i ri jo vetëm për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por edhe për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Ajo që sjellim sot këtu nuk është vetëm një akt i emancipimit mbi mënyrën si po qeverisen dhe zhvillohen qytetet tona, por është një portë e re e hapur drejt horizonteve të reja përmes jetësimit të kësaj hapësire dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore,” tha Bylykbashi.

Pas fjalës së nënkryetares, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e projektit për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kalasë si një destinacion turistik. Ai theksoi se ky projekt ka potencialin të sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në Elbasan, duke përmirësuar gjithashtu vlerën e pronave dhe mundësitë ekonomike për banorët e lagjes Kala.

“Ka një fakt që duhet adresuar dhe përmbysur. Ndërkohë që Berati ka arritur në 800 mijë vizitorë, Elbasani ka vetëm 20-25 mijë vizitorë. Këto shifra mund dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e Kalasë, sepse ajo ka një histori dhe një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar turizmin,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se kalaja e Elbasanit ka një rëndësi të veçantë për identitetin kulturor dhe fetar të qytetit, duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe prosperitetin e komunitetit. Ai po ashtu shprehu bindjen se investimet në infrastrukturë, si ndërtimi i bajpasit të ri të Elbasanit, do ta bëjnë qytetin më të aksesueshëm dhe më tërheqës për turistët.

“Nëse ne do të arrijmë të bëjmë një projekt të nivelit ‘kriminal’ të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, atëherë do të kemi absolutisht më shumë turistë. Besoj se duke shfrytëzuar gjithë këto komponentë të fshehur që ka Kalaja, ne do të arrijmë të kemi një rritje shumë të madhe të numrit të vizitorëve brenda në lagje. Kjo do të bëjë që vlera e pronës, e shtëpive në lagje të rritet eksponencialisht”, shtoi Rama.

“Kalaja e Elbasanit ka potencial të jashtëzakonshëm dhe me një projekt të suksesshëm, do të kemi një rritje të madhe të vizitorëve dhe një zhvillim të qëndrueshëm për qytetin,” përfundoi Kryeministri Rama.

Gjithashtu, Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, theksoi rëndësinë e këtij projekti për transformimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit. Ai përmendi projektin ambicioz të “Auto Moto Park Albania”, që do të bëhet qendra kryesore e automotorizimit në Shqipëri, duke kontribuar në edukimin mbi sigurinë rrugore dhe zhvillimin e motosportit, me standardet për gara të Formula 1. Gonxhja gjithashtu theksoi se ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin e Elbasanit, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për turistët dhe investitorët.

“Me projektet e reja, Elbasani do të shndërrohet në një destinacion të fuqishëm turistik, me mundësi për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetin,” tha Gonxhja.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ishte i pranishëm gjithashtu Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, i cili u shpreh se projekti do të sjellë një transformim të dukshëm për Elbasanin, duke bërë të mundur që, në dy ose tri vitet e ardhshme, qyteti të tërheqë 1 milion turistë.

“Sot nisim këtë rrugëtim, dhe jam i sigurt se ky transformim do të jetë një sukses për Elbasanin, duke e bërë qytetin një destinacion tërheqës për turistët dhe duke rritur mundësitë për banorët e tij,” tha Mazniku.

“Kemi filluar punën për rikonceptimin dhe rivitalizimin e të gjithë Metalurgjikut, si një zonë logjistike dhe zhvillimi të kompanive dhe të zhvillimit të territorit, ҫka gjithashtu krijon një pol shumë të rëndësishëm mes 3 akseve të rëndësishme. Rruga e re që ka nisur nga Lekaj në Elbasan, By pass-i i Elbasanit e lidhur me unazën e vendos këtë zonë në një pikë shumë të rëndësishme logjistike, duke krijuar një pol të rëndësishëm të një zhvillimi alternativ. Sot aty kemi më shumë se 30-40 kompani, të cilat punësojnë më shumë se 4 mijë veta dhe vetëm taksa paguajnë rreth 40 milionë euro taska në vit. pra kemi një ekonomi goxha të gjallë, e cila mund të 2-fishohet, 3-fishohet kollaj. Dhe në këtë mënyrë, midis Kalasë, midis Automootparkut dhe rikonceptimit të Metalurgjikut krijojmë tre pole të zhvillimit ekonomik të qytetit, ҫka e vendosin ashtu siҫ duhet në fakt Elbasanin, që nuk është thjesht gjeografikisht në kërthizë të Shqipërisë, por e vendosin në fokus të një zhvillimi shumë të rëndësishëm ekonomik për të ardhmen”, tha Mazniku.

Ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e Elbasanit dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore me rajonin dhe më gjerë.