Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani, një shekull histori në celuloid

Qyteti i Elbasanit ka hapur dyert e historisë së tij me një ekspozitë unike që shënon 100 vite ndryshimesh, zhvillimi dhe kujtimesh. Në muret e Kalasë janë vendosur fotografi dhe imazhe që tregojnë çdo dekadë të jetës së qytetit, duke e sjellë atë në një retrospektivë të gjallë dhe emocionuese.

Ekspozita, e cila ka tërhequr artdashës dhe turistë nga brenda e jashtë vendit, u hap me mesazhin e kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e njohjes së rrënjëve tona, të kaluarës dhe të tashmes, për të vlerësuar dhe ndërtuar të ardhmen.

Ky aktivitet është pjesë e një kalendari të pasur ngjarjesh kulturore që Bashkia e Elbasanit, në bashkëpunim me institucionet e saj, ka zhvilluar gjatë gjithë muajit gusht. Përveçse ka ngjallur interesin e qytetarëve elbasanas, ai ka tërhequr edhe vizitorë të shumtë që e kanë zbuluar qytetin në këtë verë të nxehtë.