Elbasani feston Ditën Botërore të Muzikës me dy netë magjike koncertesh
Me rastin e Ditës Botërore të Muzikës, qyteti i Elbasanit përjetoi dy netë magjike nën tingujt e muzikës klasike, duke u kthyer në një skenë të vërtetë emocionesh dhe elegance. Aktivitetet u zhvilluan në dy nga ambientet më simbolike të qytetit: Bahçja e Trëndafilave dhe Kisha Ortodokse në Kala, ku publiku elbasanas përjetoi performanca të jashtëzakonshme artistike.
Në qendër të këtyre netëve festive ishte Orkestra e Harqeve Elbasan, e cila interpretoi vepra të njohura nga repertori botëror dhe shqiptar, nën drejtimin e dirigjentëve të njohur dhe me pjesëmarrjen e artistëve të shquar dhe talenteve të reja të skenës muzikore.
Ky aktivitet kulturor i kthyer tashmë në një traditë për qytetin, u mirëprit me entuziazëm nga publiku dhe përfaqësoi një tjetër hap në përforcimin e identitetit artistik të Elbasanit.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, në një mesazh falënderues, vlerësoi kontributin e të gjithë artistëve pjesëmarrës, dirigjentëve dhe qytetarëve që e bënë këtë ngjarje kaq të veçantë:
“Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këto dy netë të paharrueshme që i dhanë qytetit tonë emocione të bukura dhe krenari kulturore” u shpreh z. Llatja.