Elbasani gjelbërohet: Mbi 14 mijë pemë të mbjella, Krasta në qendër të fushatës së pyllëzimit.

Në kuadër të strategjisë për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, vijon me intensitet fushata vjetore e pyllëzimit në Bashkinë Elbasan. Ky proces, pjesë e një plani të mirëfilltë masash për rigjenerimin e ekosistemit, ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme zbatimi në terren.
Aksioni i radhës i mbjelljeve është zhvilluar në Kodër Krastë, e njohur si “mushkëria e qytetit”, ku grupe e punës së drejtorisë së pyjeve, si edhe vullnetarë kanë vijuar mbjelljen e fidanëve të rinj.
Aksionit ju bashkuan kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, si dhe deputeti Adi Qose.
Kryebashkiaku Llatja theksoi se fushata e pyllëzimit po shtrihet në disa zona prioritare të qytetit dhe të territorit rural.
“Ne kemi pasur shumë aksione edhe në shkollat e qytetit, por edhe në zonat më nevralgjike të Elbasanit, siç është Kodër Krasta. Deri më tani janë mbjellë mbi 14 mijë pemë, ndërsa qëllimi ynë është që në fund të sezonit të mbjellim mbi 20 mijë fidanë në të gjithë Bashkinë e Elbasanit.
Prioritet kryesor u kemi dhënë zonave ekonomike, por edhe zonave që kanë ndikim mjedisor për qytetin. Një vëmendje të veçantë i kemi kushtuar Krastës, si për pastrimin e pemëve të rëna, ashtu edhe për zëvendësimin e tyre me fidanë të rinj. Deri më tani këtu janë mbjellë mbi 3 400 fidanë,” u shpreh Llatja.
Nga ana e tij, deputeti Adi Qose u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e këtyre hapësirave të gjelbra, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Fokusi i kësaj fushate nuk është i rastësishëm. Grupet e punës janë përqendruar në zona me rëndësi mjedisore, turistike dhe ekonomike.
Funari dhe Gjinari konsiderohen zona me potencial të lartë turistik, ku ndërhyrja synon ruajtjen e peizazhit natyror si aset për zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit. Ndërkohë, Krasta mbetet një zonë jetike për balancën ekologjike të qytetit, ku po forcohet brezi i gjelbër për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të tokës.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i fushatës është pyllëzimi në oborret dhe rrethinat e shkollave, me karakter edukativ dhe mjedisor, për të krijuar hapësira më të shëndetshme për nxënësit dhe për të përcjellë te fëmijët mesazhin për rëndësinë e gjelbërimit.
Një shtyllë kryesore e projektit është edhe ripyllëzimi i zonave të prekura nga zjarret. Ndërhyrja shërben si masë rehabilituese për të rikthyer funksionalitetin e ekosistemeve, duke minimizuar rrezikun e erozionit dhe duke rivendosur biodiversitetin e humbur.
Ky investim në gjelbërim përbën një angazhim afatgjatë për t’i kthyer natyrës atë që është dëmtuar nga faktorë të ndryshëm natyrorë.
Përmbushja e objektivit prej 20 mijë fidanësh këtë vit do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt një mjedisi më të qëndrueshëm dhe një infrastrukture natyrore më të pasur për komunitetin dhe vizitorët e Elbasanit.