Elbasani nderon firmëtarin Aqif Pashë Elbasani në 113-vjetorin e Pavarësisë

Në kuadër të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, Aqif Pashë Elbasani.
Deputetët e Elbasanit Adi Qose, Aulona Bylykbashi, Sara Mile, Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, nënkryetarja e Bashkisë Elbasan Klaudja Krasnika, Prefekti i Qarkut Ilir Bejtja, përfaqësues të pushtetit vendor, qytetarë dhe nxënës të shkollave, vendosën kurora me lule dhe zhvilluan homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit.
Në fjalën e tij, kreu i bashkisë Gledian Llatja përcolli urimet për Festën e Flamurit dhe Pavarësisë, duke theksuar rolin historik të Elbasanit si një nga djepet e Pavarësisë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Aqif Pashë Elbasanit dhe patriotëve të tjerë elbasanas në themelimin e shtetit shqiptar. Ai nënvizoi se respekti për figurat e historisë është detyrim qytetar dhe institucional, si dhe një mesazh edukues për brezat e rinj.
Edhe drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, në përshëndetjen e tij, vuri theksin te mirënjohja ndaj firmetarëve të Pavarësisë dhe uroi qytetarët për 28 Nëntorin, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe vazhdimit të projekteve zhvillimore në Elbasan dhe në mbarë qarkun.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, ku u bashkuan institucione, përfaqësues politikë dhe qytetarë, duke e kthyer homazhin në një akt simbolik nderimi për historinë, identitetin kombëtar dhe rolin e Elbasanit në Pavarësinë e Shqipërisë.