Elbasani në nismën “Male të Pastra”, qytetarët e të rinjtë bashkohen për një mjedis më të shëndetshëm
Bashkia Elbasan iu bashkua sot nismës kombëtare “Male të Pastra”, me një aksion pastrimi në tre nga zonat më të dashura të qytetit: Gjinarin, Krastën dhe Funarin.
Në këtë nismë, përveç strukturave të bashkisë, morën pjesë dhjetëra vullnetarë, kryesisht të rinj, si dhe deputetët Aulona Bylykbashi dhe Adi Qosja.
Kryebashkiaku Gledian Llatja, i pranishëm në aksion, e cilësoi këtë ditë si një shembull të përbashkët përkujdesjeje ndaj natyrës.
Ai tha se Krasta, “mushkëria e qytetit”, ashtu si edhe zonat e tjera malore, duhet të mbeten të pastra dhe të mbrojtura. “Është një ditë e veçantë ku përveç strukturave të bashkisë, na janë bashkuar edhe shumë qytetarë e të rinj që e duan pyllin dhe gjelbërimin. Bashkë po japim një mesazh të qartë për një ambient më të shëndetshëm e më të pastër.”
Llatja dha edhe një apel sensibilizues për qytetarët, “duhet ta mbajmë të pastër natyrën dhe zonat pyjore. Të kemi kujdes sidomos kur bëjmë zgara, të mos i rrezikojmë me zjarre dhe të mos i ndotim me papastërti. Vetëm kështu do të kemi një qytet më të gjelbër për brezat që vijnë.”
Ky angazhim i përbashkët i institucioneve, deputetëve, të rinjve dhe qytetarëve tregon se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm detyrë, por përgjegjësi qytetare.