Elbasani, në qendër të nismave për qeverisje të gjelbër dhe pjesëmarrje publike

Sot në Elbasan u zhvillua takimi për validimin e raportit “Vlerësimi i Nevojave për Pjesëmarrjen Publike në Qeverisjen Mjedisore në Bashkinë Elbasan”, hartuar në kuadër të projektit CEJ – Convergence for Environmental Justice, me mbështetjen e Expertise France dhe Agence Française de Développement (AFD).
Takimi u drejtua nga znj. Entela Pinguli, ndërsa mori pjesë Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, znj. Klaudja Krasnika, e cila në fjalën e saj falënderoi aktorët dhe partnerët e përfshirë në këtë projekt, duke theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja qytetare në qeverisjen vendore.
“Qasja e vërtetë e asaj që ne bëjmë në këto takime është përfshirja dhe transparenca. Këto janë në fokusin e veçantë të Bashkisë Elbasan, pasi pjesëmarrja qytetare është një indikator i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të komunitetit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha nismat që nxisin angazhimin aktiv të qytetarëve dhe bashkëpunimin për një mjedis më të pastër e më të qëndrueshëm,” u shpreh znj. Krasnika.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të iniciativës rajonale “CEJ Convergence in the Western Balkans – PP Assessment”, e cila synon identifikimin e barrierave, mundësive dhe praktikave për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen mjedisore dhe forcimin e transparencës në nivel vendor.
Nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave me vendet e Bashkimit Evropian, ky projekt kontribuon në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke harmonizuar qeverisjen vendore me Kapitullin 27 të acquis të BE-së, që lidhet me mjedisin dhe politikat klimatike. Projekti sjell gjithashtu eksperiencën evropiane në ndërtimin e mjeteve praktike për përfshirjen publike, si buxhetimi me pjesëmarrje dhe proceset konsultuese për vlerësimin e ndikimit mjedisor (VNM).
Bashkia Elbasan mbetet një ndër bashkitë më aktive në promovimin e qeverisjes së hapur dhe gjithëpërfshirëse, përmes. Zbatimit të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, që mundëson përfshirjen direkte të qytetarëve në vendimmarrjen locale.
Krijimit të Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP Local Elbasan), që forcon transparencën institucionale dhe nxit politika të gjelbra e të qëndrueshme.
Me këto nisma, Elbasani po dëshmon se qeverisja e hapur dhe mbrojtja e mjedisit ecin krah për krah, drejt ndërtimit të një qyteti më të pastër, më të përgjegjshëm dhe më afër qytetarëve.