Elbasani shkëlqen në skenën europiane me koncertin “Oda in Fiesta” në Brescia

Në Teatrin “Sant’Afra” në Brescia të Italisë, Elbasani u përfaqësua denjësisht në skenën europiane përmes koncertit “Oda in Fiesta”, një event që solli në vëmendje vlerat artistike dhe kulturore të qytetit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, duke mbështetur nga afër artistët elbasanas dhe promovimin e kulturës shqiptare në Europë.
Orkestra “Egnatia Ensemble” dhe solistët e saj, pjesë e strukturave artistike të Bashkisë Elbasan, prezantuan një program të pasur muzikor, ku u ndërthurën muzika klasike, ajo etnike dhe tingujt karakteristikë ballkanikë. Performanca u prit me duartrokitje dhe vlerësime nga publiku italian dhe nga diaspora shqiptare që kishte mbushur sallën.
Koncerti u zhvillua në kuadër të projektit “Ditët e Elbasanit në Europë”, i cili po shndërrohet në një platformë të rëndësishme për promovimin e kulturës, artit dhe identitetit elbasanas jashtë kufijve të Shqipërisë. Në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “ODA” në Brescia, paralelisht me koncertin u organizuan edhe aktivitete të tjera kulturore me vlerë.
Gjatë këtyre aktiviteteve, disa figura të shquara elbasanase në diasporë u vlerësuan me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, në respekt të kontributit të tyre të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave shqiptare jashtë vendit.
Pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, në këtë event ishte një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme që Bashkia Elbasan i jep artit, kulturës dhe përfaqësimit dinjitoz të qytetit në arenën ndërkombëtare.
Elbasani edhe një herë tregoi se kultura dhe arti janë ura bashkimi mes qytetit dhe diasporës, duke e përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në zemër të Europës.