Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Extension 2025 në Skampa/ Starton edicioni i 27-të i festivalit të teatrit ndërkombëtar

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa 2025” startoi sot për publikun, duke sjellë magjinë e artit të gjallë në zemër të Elbasanit.

Edicioni i 27-të i festivalit të stileve dhe formave të reja teatrore risjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës. Nga data 2 – 6 tetor do të ngjiten në skenë

shfaqje nga 9 trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave, trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia e Shqipëria.

Nuk do të mungojnë gjithashtu, si në çdo edicion tjetër, edhe ëorkshop-et, ekspozitat fotografike dhe promovimet e librave mbi vlerat teatrore.

Mbremja e parë solli në skenë shfaqjen “Medea – Material”, nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe ai i Stambollit. Teksti i Heiner Müller-it, i prezantuar për herë të parë në turqisht, ndërthur mitologjinë, historinë, kujtimet dhe ëndrrat, duke krijuar një tapiceri poetike që rrëmbeu vëmendjen e publikut dhe e bëri natën të paharrueshme. Performanca vizuale, ritmi i hollësishëm dhe interpretimi i fuqishëm i aktorëve krijuan momente të thella reflektimi dhe emocioni, duke bërë që çdo spektator të ndihej pjesë e një dialogu të drejtpërdrejtë me artin.

Në konferencën për shtyp, themeluesi dhe drejtuesi artistik i pandalshëm i festivalit, Adonis Filipi, përshkroi rëndësinë e këtij edicioni. “Vlerësimi për të bukurën në të gjitha format e saj, si dhe dëshmia se arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar, janë synimi i këtij festivali, për të na lidhur me njëri-tjetrin dhe për të mirëpritur ndryshimin.”
Filipi shtoi se “Extension’ nuk është thjesht një fjalë, është një përvojë që zgjeron mënyrën se si e perceptojmë teatrin, duke sjellë eksperimente dhe emocione të reja në skenën shqiptare”.

Festivali zhvillohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Elbasanit, dhe në bashkëpunim me Qendrën e Artit Elbasan, Ambasadën Greke në Shqipëri, Institutin e Kulturës Turke “Yunus Emre” – Tiranë, Universitetin e Arteve, Teatrin “Metropol” – Qendra Kulturore Tirana, dhe partnerë të tjerë kulturorë. Ky bashkëpunim ndërkombëtar garanton një pasqyrë të pasur të formave dhe stileve teatrore bashkëkohore, duke sjellë eksperimente dhe performanca që sfidojnë perceptimet tradicionale të publikut.

Festivali i parë Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa ’99” hapi siparin 27 vite më parë në  Elbasan, me sloganin “Format e reja”, në koherencë me zhvillimet integruese evropiane, si i pari festival ndërkombëtar teatror, që i çeli rrugën edhe festivaleve të tjera në Shqipëri. Festivali “Skampa” eshte kompeticioni me i madh teatror që zhvillohet në vendin tonë, me pjesëmarrjen e mbi dhjetë trupave në çdo edicion. Që atëherë, festivali ka krijuar një traditë të veçantë, duke bashkuar artistë dhe publik nga e gjithë bota dhe duke u bërë një nga ngjarjet më ikonike të skenës shqiptare.

Mbremja e parë e këtij edicioni tregoi se “Skampa” vazhdon të jetë një hapësirë ku arti dhe emocionet bashkohen, duke ftuar spektatorët të shtrijnë horizontet e ndjenjës dhe të përjetimit artistik për gjithë javën e festivalit.