Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Fëmijët në qendër të vëmendjes në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Drejtoreshën e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, zhvilluan një vizitë në shkollën “Alush Lleshanaku” në Bradashesh.

Gjatë takimit me nxënësit dhe mësuesit, Kryetari Llatja theksoi angazhimin e Bashkisë Elbasan për të mbështetur fëmijët dhe për të krijuar kushte të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatshme për zhvillimin e tyre. Ai u shpreh se fëmijët janë forca lëvizëse e shoqërisë dhe se investimet në arsim e mjedise të shëndetshme mbeten prioritet i bashkisë.

Nga ana e saj, Vesa Llanaj Liço vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë Elbasan dhe përpjekjet e përbashkëta për të siguruar një arsim cilësor për çdo fëmijë, duke nënvizuar se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve është një detyrim i përbashkët.

Vizita u shoqërua me aktivitete sensibilizuese, duke e kthyer këtë ditë në një moment reflektimi për garantimin e të drejtave, mirëqenies dhe mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët e komunitetit.