Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Festa e Bushekut: Një traditë e gjallëruar me ngjyra dhe kulturë

Festa e Bushekut, e kthyer tashmë në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Elbasanit, solli sot një ditë të mbushur me aktivitete të larmishme. Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, z. Gledian Llatja, kjo festë mblodhi së bashku banorë të zonës, të rinj e të vjetër, si dhe shumë vizitorë të apasionuar pas këtij vendi të bukur dhe historik.

Në këtë festë, pjesëmarrësit shijuan një panair të veçantë, ku prodhimet tradicionale të zonës, punimet artizanale dhe veshjet karakteristike të Shushicës shkëlqyen. Gratë dhe vajzat e zonës u dalluan për mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e aksesorëve të punuar me dorë, duke sjellë gjallëri dhe ngjyra në atmosferën e festës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, vlerësoi rëndësinë e kësaj feste, duke theksuar se ” Busheku nuk është vetëm i Shushicës, është i Elbasanit, është i të gjithëve sepse tradicionalisht, gjatë gjithë ekzistencës së tij, ka qenë i pandashëm nga Elbasani. Në fakt, kjo festë është ndër më të bukurat e Njësisë Administrative Shushicë dhe ne do të vazhdojmë t’i pasurojmë këto festa në të ardhmen dhe ta pasurojmë këtë trashëgimi. Ndaj, një falenderim për të gjithë miqtë e ardhur në këtë festë, si edhe turistët, fëmijët dhe të rinjtë që i japin jetë kësaj tradite”.

Deputetja e zonës, znj. Desantila Tahiraj, vuri në dukje bukurinë e natyrës përreth, të pasur me rrapet shekullore dhe burimet ujore që karakterizojnë këtë zonë turistike. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e rrugës antike Via Egnatia, që kalon pikërisht në këtë rajon.

Ndërsa deputetja Evis Kushi u përqendrua te virtytet e larta dhe mikpritja e banorëve, duke thënë se “Detyra jonë është ta ruajmë dhe ta promovojmë këtë zonë si një pikë turistike për Elbasanin dhe mbarë vendin.”

Deputeti Florenc Spaho përmendi me krenari bukurinë natyrore të Bushekut, duke e krahasuar atë me “një Lugano të vogël”, dhe e quajti këtë vend një dhuratë të vërtetë nga Zoti për banorët e Elbasanit.

Atmosfera e ngrohtë, ndërthurja e traditës me natyrën dhe aktivitetet festive, e kanë kthyer Festën e Bushekut në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin dhe vizitorët.