Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Gazmend Xhaferri i dhuron qytetit një murale mbresëlënëse

Në zemër të Elbasanit, pranë Postës Qendrore, një mur i zakonshëm është shndërruar në një faqe arti që flet me ngjyra. Pas tij qëndron duart e arta të artistit Gazmend Xhaferri, i cili prej vitesh ka ditur të ngjyrosë historinë e qytetit, herë në telajo dhe herë në hapësira publike.

Murali i ri është më shumë se një vepër estetike, ai është një rrëfim i gjallë i kujtesës së qytetit. Në të pasqyrohen elementë të trashëgimisë kulturore, arkitekturës së vjetër dhe jetës së përditshme që ka ndërtuar identitetin e Elbasanit ndër shekuj. Çdo detaj i pikturës, nga ngjyrat e ngrohta te format simbolike, është një ftesë për të ndaluar, për të parë dhe për të reflektuar mbi rrënjët tona.

Kjo murale e kthen hapësirën publike në një galeri arti të hapur, duke i dhuruar qytetit jo vetëm bukuri, por edhe një lidhje të re mes të kaluarës dhe së tashmes. Vepra e Gazit dëshmon se arti nuk është i kufizuar brenda mureve të muzeve, por mund të jetojë përditë mes njerëzve, t’i shoqërojë ata në rrugët ku kalojnë dhe t’i bëjë më krenarë për vendin e tyre.

Me këtë krijim, Gazmend Xhaferri forcon edhe një herë rolin e tij si artist që nuk thjesht pikturon, por rrëfen, kujton dhe gjallëron historinë e qytetit në çdo penelatë.