Gledian Llatja mirëpret artistët e 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, priti sot në zyrën e tij Drejtorin Artistik të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, Adionis Fiilipi, së bashku me trupat teatrore nga Turqia, Serbia dhe Greqia, të cilët këto ditë po marrin pjesë në edicionin e 27-të të këtij festivali që ka kthyer Elbasanin në një qendër të rëndësishme të artit dhe kulturës.
Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e festivalit për promovimin e artit teatrore dhe trashëgimisë kulturore të qytetit, si dhe mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Kryetari Llatja shprehu kënaqësinë e tij për mikpritjen e ofruar nga qyteti dhe theksoi se kultura dhe arti janë prioritete strategjike për zhvillimin e Elbasanit.
Artistët e huaj shprehën mirënjohje për ngrohtësinë dhe dashamirësinë e publikut elbasanas, për duartrokitjet e sinqerta dhe për atmosferën e veçantë që qyteti ofron gjatë festivalit. Ky edicion, që sjell trupa nga vendet e rajonit dhe më gjerë, është një rast unik për të lidhur kulturat dhe për të krijuar një dialog ndërkombëtar mbi teatrin dhe artin dramatik.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, që prej 27 vitesh, ka qenë promovuesi më i mirë i artit dhe kulturës në Elbasan, duke kontribuar në afirmimin e trashëgimisë historike dhe artistike të qytetit dhe duke i ofruar publikut një përvojë të pasur artistike. Ky aktivitet i rëndësishëm rikthen çdo vit qytetin në skenën ndërkombëtare të artit, duke e bërë Elbasanin një destinacion kulturor për artistët dhe artdashësit nga e gjithë bota.
Ky takim dhe mikpritja e trupave teatrore theksojnë edhe një herë përkushtimin e Bashkisë për të mbështetur artin, talentin dhe dialogun kulturor, duke shndërruar Elbasanin në një qytet që jeton dhe frymëzohet nga arti.