Gledian Llatja në Komisionin për Gjuetinë: Mbrojtja e faunës dhe pyjeve të Elbasanit

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku u diskutua dhe miratua projektligji i ri “Për Gjuetinë”.
Projektligji i ri shënon një hap të rëndësishëm pas më shumë se një dekade ndalim të plotë të gjuetisë, duke hapur rrugën drejt një modeli modern të menaxhimit të faunës së egër, i bazuar në përgjegjshmëri, mbrojtje të biodiversitetit dhe standarde europiane. Sipas kuadrit të ri ligjor, bashkitë do të kenë një rol kryesor në administrimin e Zonave të Gjuetisë, ndërsa në terren do të angazhohen menaxhues të posaçëm për të garantuar zbatimin rigoroz të rregullave dhe ruajtjen e ekuilibrave natyrorë.
Ligji i ri parashikon disa hallka të rëndësishme për funksionimin e gjuetisë, që nis nga miratimi i menaxhimit të zonave me vendim të Këshillit të Ministrave, vijon me Planin Kombëtar të sezonit të gjuetisë që miratohet nga ministria përkatëse, si dhe përcaktimi i sezonit për secilën bashki dhe lista e faunës së lejuar.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja e kryetarit të Bashkisë Elbasan merr një rëndësi të veçantë, pasi Elbasani është një nga bashkitë më të pasura me sipërfaqe të gjelbërta dhe zona pyjore, si pylli i Funarit, pylli i Bukanikut dhe masivet e tjera që rrethojnë territorin. Këto zona përbëjnë jo vetëm një pasuri natyrore me vlera të mëdha ekologjike, por edhe një potencial të rëndësishëm për turizmin natyror dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Menaxhimi i pyjeve është tashmë në tagrin e bashkive, ndërsa aktet nënligjore që do të pasojnë pritet të përcaktojnë qartë modalitetet e administrimit, mbrojtjes dhe përdorimit të tyre. Bashkia Elbasan, përmes këtij angazhimi institucional, synon të kontribuojë në ruajtjen e faunës së egër, mbrojtjen e ekosistemeve dhe ndërtimin e një marrëdhënieje më të shëndetshme mes njeriut dhe natyrës.
Ky projektligj konsiderohet si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund kaosit të së shkuarës dhe për të garantuar një qasje të përgjegjshme ndaj një pasurie kombëtare që kërkon kujdes dhe mbrojtje afatgjatë.