Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Gledian Llatja panelist në Konferencën Rajonale për të Ardhmen Industriale të Gjelbër

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë si panelist në Konferencën Rajonale “Accelerated Zones and One-Stop Shops for Green Deployment”, me temë “Rruga e Ballkanit Perëndimor drejt një të ardhme industriale të gjelbër”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të qeverive lokale, organizatave ndërkombëtare dhe aktorëve të zhvillimit ekonomik nga i gjithë rajoni, për të ndarë praktika dhe ide mbi mënyrat e nxitjes së transformimit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja theksoi rëndësinë e fuqizimit të bashkive dhe të rolit të tyre në drejtimin e këtij procesi, përmes thjeshtimit të procedurave të lejeve, tërheqjes së investimeve dhe përdorimit të modeleve të reja zhvillimore, si “one-stop shops” për investitorët.

“Nga rijetëzimi i zonave industriale të braktisura deri te rritja e besimit të investitorëve, fokusi ynë mbetet tek kthimi i politikave të gjelbra në rezultate konkrete në terren,” u shpreh Llatja.

Diskutimet u përqendruan në krijimin e zonave të përshpejtuara zhvillimore dhe qendrave me një ndalesë si instrumente kyçe për të tërhequr investime të gjelbra, për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të nxitur zhvillimin industrial të qëndrueshëm në rajon.

Konferenca u organizua në kuadër të bashkëpunimit rajonal për ekonominë e gjelbër.