Gledian Llatja pret Ambasadorin e Bullgarisë: Fokus tek zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit priti në zyrën e tij Ambasadorin e Bullgarisë në Shqipëri, z. Ivaylo Kirov, si dhe z. Ivan Varlyakov, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit Rajonal të Bashkive “Trakia”. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë bisedës, palët vlerësuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, me fokus të veçantë në shkëmbimin e eksperiencave midis bashkive. U veçua bashkëpunimi potencial me Bashkinë Sliven, një qytet industrial që ofron mundësi konkrete për projekte të përbashkëta në fushën ekonomike dhe teknologjike.
Kryetari i Bashkisë prezantoi para të ftuarve vlerat kulturore, trashëgiminë dhe historinë e pasur të Elbasanit, duke theksuar gatishmërinë e institucionit për të ndërtuar ura të reja komunikimi dhe zhvillimi reciprok. Ai nënvizoi se Elbasani mbetet një partner i hapur dhe i besueshëm për nisma që rrisin zhvillimin lokal dhe sjellin përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin.
Ambasadori Kirov dhe z. Varlyakov shprehën vlerësimin për pritjen dhe theksuan rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet njësive vendore për afrimin e komuniteteve dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Takimi u mbyll me angazhimin e të dy palëve për të vijuar punën drejt konkretizimit të nismave dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.