Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Gledian Llatja prezanton Elbasanin në Parlamentin Austriak si qendër të rëndësishme industriale dhe destinacion për investime

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në Konferencën e Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri–Austri, zhvilluar në Parlamentin Austriak, ku prezantoi potencialin e madh që Shqipëria ofron për investime, me fokus të veçantë te Elbasani, si një nga zonat më të rëndësishme industriale të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Llatja vuri në dukje pozicionin strategjik të Elbasanit si qendra më e madhe industriale në Shqipëri, një territor me traditë në industri dhe me mundësi të shumta për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. Ai nënvizoi se Elbasani po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pol tërheqës për investitorët e huaj, falë reformave, infrastrukturës në zhvillim dhe klimës së përmirësuar të biznesit.

Kryetari i Bashkisë u ndal veçanërisht te mundësitë e investimit në, industrinë përpunuese,
 energjinë e gjelbër,  projektet infrastrukturore, dhe fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Ai theksoi se procesi i integrimit europian dhe përgatitjet drejt axhendës 2029 i japin Shqipërisë dhe veçanërisht Elbasanit një avantazh të rëndësishëm konkurrues, duke e bërë vendin edhe më tërheqës për sipërmarrjet austriake që kërkojnë partneritete të reja në rajon.

Në fjalën e tij, Llatja foli edhe për mundësinë e krijimit të partneriteteve të drejtpërdrejta mes bizneseve austriake dhe ekosistemit ekonomik shqiptar, ku Elbasani ofron një terren konkret bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm, nga industria e rëndë te ekonomia e gjelbër dhe shërbimet.

Në këtë atmosferë festash kombëtare, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i Elbasanit dhe Shqipërisë në zemër të institucioneve austriake u cilësua nga kryebashkiaku si një nder dhe përgjegjësi, por edhe si një mundësi reale për të çuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe për të hapur rrugë të reja zhvillimi për qytetin dhe vendin.