Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Homazhe në nder të Shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit

Sot, në Elbasan, u përkujtua Shpallja e Pavarësisë më 25 Nëntor 1912, një ngjarje historike ku Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke ngritur flamurin tre ditë para aktit të shpalljes në Vlorë dhe duke vendosur gurin e parë në themelet e lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë.

Homazhe për këtë ditë u zhvilluan pranë monumentit të Aqif Pashë Elbasanit, një nga figurat kryesore të kësaj ngjarjeje. Në ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë, historianë dhe qytetarë.

Kryetari Llatja theksoi se “Aqif Pashë Elbasani, si bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, luajti një rol kyç në organizimin e kryengritjeve antiosmane dhe ngritjen e flamurit kombëtar në Elbasan. Me aktin e 25 Nëntorit, Elbasani dërgoi një mesazh të fuqishëm dhe u pozicionua si pararendës i shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor.”

Ai shtoi se “në 25 Nëntor 1912, Elbasani shpalli Pavarësinë, nënshkroi aktin dhe ngriti flamurin i pari. Ky akt e vendosi Elbasanin si një nga figurat kryesore të ngjarjeve historike. Karta e lirisë së Elbasanit ishte një akt që duhej të njihej nga çdo fuqi e huaj. Mirënjohja jonë shkon për rilindasit që vunë interesat kombëtare mbi gjithçka. Elbasani ka qenë dhe mbetet një simbol i patriotizmit dhe bashkimit për kombin shqiptar.”

Ministri Mazniku theksoi se “ fakti se një grup burrash, pavarësisht ndasive të besimit dhe politikës, u bashkuan në Elbasan për të shpallur Pavarësinë dhe për t’i treguar të gjithë botës, nga Elbasani, se Shqipëria është një shtet dhe një komb, është një dëshmi e fortë.

 Kjo u vërtetua përmes asaj deklarate, që nisi nga ky qytet, ndaj duhet të jemi krenarë për rolin që ka luajtur Elbasani. Sot jemi krenarë. Jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe ka pyetje në mbarë botën për mundësinë që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Unë besoj se çdo qytetar, ashtu si 112 vjet më parë, përmes punës dhe angazhimit të tij, po riprovon atë që provoi para 112 vjetësh. Sot, Shqipëria ka gjithçka të nevojshme për të qenë anëtare e BE-së, dhe lidhja e historisë është e rëndësishme për të na dhënë besim. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të pasur një të ardhme në BE”, tha ai.

 Ngjarjet e vitit 1912 përkujtohen çdo vit si një moment krenarie për Elbasanin, duke nderuar sakrificën dhe vizionin e atyre që e formuan historinë tonë kombëtare.