Investime në rrugë dhe sheshe pallatesh. Rajoni nr. 6 vendosi përparësitë e vitit 2026

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje u zhvillua në Rajonin Nr. 6, ku banorët e ardhur në takim patën mundësinë të shprehin kërkesat dhe pritshmëritë e tyre për investimet e ardhshme.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, znj. Ermira Urupi, shprehu bindjen se të gjithë banorët pjesëmarrës në takim kanë ardhur për të shprehur kërkesat e tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm për Elbasanin, i cili zhvillohet çdo muaj tetor për më shumë se një dekadë.
“Unë mendoj se ju keni ardhur edhe për të falenderuar punën që është bërë në Rajonin Nr. 6. Bashkë me mua të gjithë e dini që punohet në të gjithë Shqipërinë, punohet në 7 bashkitë e qarkut, por unë them që më shumë punohet në Bashkinë e Elbasanit. Jam e bindur që kërkesat që ju keni do të gjeni dakordësinë e institucionit dhe kryetarit.”
Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, u ndal tek investimet dhe projektet e realizuara, duke përmendur edhe banesat e riparuara për komunitetin rom dhe egjiptian.
“Nga kërkesat tuaja të vazhdueshme kemi arritur të riparojmë pjesërisht 215 banesa individuale por edhe pallate kolektive në të gjithë Elbasanin.”
Duke e vënë theksin tek investimet në rrugë, Llatja tha: “ kemi investuar në një sërë asfaltimesh. E nisëm me rrugën tek Koladuimi, pastaj me rrugët e brendshme, për të vazhduar me kërkesën e kahershme tuajën që është rruga “Arif Dardha”.
Sot është shtuar një rrugë me standard fantastik.
Kemi akoma shumë punë për të bërë dhe do t’i bëjmë, sepse për ne janë punët.
Ashtu si ishin rrugët tek ura e sektorit, një sërë rrugësh në vazhdimësi të cilat tashmë janë zgjidhur, kanë ecur investimet, janë bërë punë.”
Llatja foli më tej edhe për kanalizimet dhe përmirësimin e shesheve të pallateve.
“Kemi bërë kanalizimet e ujrave të zeza, sistemimin e një pjese të përrroit. Po fillojmë tek “5 Maji”, ato sheshet e pallateve, që ne i kemi pasur përherë problematikë dhe na kanë dalë tek procesi i buxhetimit me pjesëmarrje dhe sot aty po investohet.”
Pasi banorët dëgjuan investimet e kryera si edhe prioritetet e kryetarit të Bashkisë, ata vazhduan me votimin e kërkesave të tyre, të cilat janë përcaktuar si më prioritaret dhe do të kthehen në investime gjatë vitit të ardhshëm.