Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 2026, fokus te shërbimet, arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm
Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Këshillit Bashkiak të Elbasanit u miratua buxheti i Bashkisë për vitin 2026, një buxhet i cili synon vijimin e investimeve në shërbimet publike, arsimin, kulturën, përkujdesjen sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, prezantoi projektbuxhetin për vitin 2026, i cili arrin në 4 miliardë e 13 milionë lekë, duke shënuar rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas kryebashkiakut, buxheti është ndërtuar pas dëgjesave publike dhe është i orientuar drejt përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale.
Llatja theksoi se prioritet mbeten shërbimet publike vendore, infrastruktura rrugore urbane dhe rurale, si dhe zhvillimi i balancuar i territorit. Investimet do të fokusohen në përmirësimin e rrugëve, shesheve publike dhe zonave të banuara, me ndërhyrje të drejtpërdrejta në lagje dhe fshatra.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar arsimit dhe përkujdesjes sociale. Kryetari i bashkisë bëri të ditur se do të vijojnë investimet në rikonstruksionin dhe përmirësimin e shkollave dhe çerdheve, si dhe zgjerimi i shërbimeve sociale. Një nga projektet është rikonstruksioni i Qendrës Sociale në Balashë, e cila do të shërbejë për forcimin e shërbimeve sociale dhe krijimin e hapësirave të reja në funksion të komunitetit, përfshirë edhe hapjen e nje cerdhe për fëmijët.
Në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, buxheti 2026 parashikon investime në institucione kyçe kulturore. Sipas Llatjas, do të vijojë mbështetja për Bibliotekën Publike, aktivitetet kulturore, si dhe bashkëfinancimi për rikonstruksionin e Teatrit “Skampa”. Këto investime synojnë jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës kulturore, por edhe gjallërimin e jetës artistike dhe promovimin e vlerave kulturore të Elbasanit.
Gjithashtu, buxheti mbështet sportin dhe aktivitetet rinore, përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe hapësirave publike, si dhe projekteve që nxisin përfshirjen e të rinjve në jetën sociale dhe kulturore të qytetit.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i buxhetit është mjedisi dhe siguria, me investime në energji të rinovueshme, projekte mjedisore, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile dhe shërbimit zjarrfikës.
Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se parashikohen investime për energjinë e rinovueshme dhe mjete miqësore me mjedisin, si dhe instalimi i kamerave në zonat pyjore për monitorimin dhe zbulimin në kohë të zjarreve, me qëllim parandalimin dhe reagimin e shpejtë ndaj emergjencave mjedisore. Këto ndërhyrje synojnë mbrojtjen e pasurive natyrore dhe rritjen e sigurisë për komunitetin.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se buxheti i vitit 2026 është një angazhim konkret për zhvillim të qëndrueshëm, transparencë dhe shërbime më cilësore, duke ftuar Këshillin Bashkiak ta mbështesë si një buxhet në shërbim të qytetarëve.
Pas dëgjimit të të gjithë këshilltarëve bashkiakë, të cilët shprehën mendimet dhe qëndrimet e tyre mbi projektbuxhetin, kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se Bashkia Elbasan çdo vit harton një buxhet realist dhe të argumentuar, të ndërtuar në funksion të qytetarëve dhe për përmirësimin e cilësisë së jetesës.
Llatja theksoi se një nga projektet e rëndësishme që do të vijojë është këndi sportiv “Dua të Luaj”, një investim që do t’u shërbejë të rinjve, fëmijëve, të moshuarve dhe gjithë qytetarëve, në një sipërfaqe prej rreth 22 mijë metra katrorë. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të vijojnë projektet për rikonstruksionin e Kalasë së Elbasanit, sipas një modeli të integruar restaurimi, si dhe projekte të tjera zhvillimore si Auto–Moto Parku.
Kryebashkiaku nënvizoi se investimet do të vijojnë si në qytet ashtu edhe në zonat rurale, përmes paketave të posaçme për infrastrukturën rrugore, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe zonave turistike, si Gjinar dhe Funar, me synim zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit turistik të tyre.