Kivi elbasanas po gjen treg në vendet e huaja/ Llatja viziton fermerin në Jagodinë
Fermerët e Jagodinës po tregojnë se bujqësia e Elbasanit po njeh zhvillim të qëndrueshëm dhe orientim drejt tregjeve të eksportit. Një shembull është fermeri Jani Avdiu, i cili këtë vit ka arritur të shesë të gjithë prodhimin e kivit ende pa e vjelë, me një çmim shumë të favorshëm në tregjete e eksportit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë vizitës së tij në fermën e Avdiut në Jagodinë, u shpreh se “kivi, dikur i njohur si frut ekzotik, tashmë është bërë pjesë e bujqësisë elbasanase dhe po prodhohet me cilësi të lartë për eksport. Vetëm në Jagodinë, prodhimi arrin nga 35 deri në 40 kuintalë në vit, i cili shkon drejt tregjeve të Italisë dhe së fundmi edhe të Pogradecit”.
Falë unazës bujqësore dhe sistemimit të rregullt të kanaleve vaditëse e kulluese, fermerët e kësaj zone po e rrisin produktivitetin dhe po sigurojnë standarde që kërkohen nga tregjet e huaja.
Llatja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e procesit të azhurnimit të pronave bujqësore që po zhvillohet në bashkëpunim me Kadastrën Shqiptare. “Kemi nisur azhornimin e pronave në zonën e Shirgjanit dhe Mëngelit, dy nga zonat më të rëndësishme bujqësore të bashkisë. Ky proces po zgjidh përfundimisht një problem 30-vjeçar të paqartësive pronësore, duke u krijuar fermerëve mundësinë për të zhvilluar më lirshëm aktivitetin e tyre ekonomik,” tha ai.
Llatja shtoi se qeveria shqiptare po mbështet fermerët me skema të shumta subvencionesh, duke përmendur hapjen e fundit të skemës së mbështetjes më 30 shtator, si dhe mundësitë e tjera që do të vijojnë gjatë gjithë vitit për prodhuesit bujqësorë.
Ky zhvillim e vendos Jagodinën në hartën e zonave që po eksportojnë prodhime cilësore, duke e bërë Elbasanin një qendër të rëndësishme të kultivimit të kivit në Shqipëri.