Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

KONFERENCA PËR PARANDALIMIN E EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM, FUQIZON MEKANIZMAT VENDORË SHUMËAKTORIAL

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), ka organizuar konferencën kombëtare “Qasja multidisiplinare në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe proceset riintegruese”, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja, si edhe Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan z. Kreshnik Ajazi dhe Drejtuesi i Drejtorisë Vendore të Policisë z. Ilir Proda

 Konferenca u fokusua nё rёndёsinё e qasjes sё integruar multidisiplinare dhe shumaktoriale në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm (EDH), ofrimin e shërbimeve R&R për të kthyerit nga zonat e konfliktit si dhe rritjen e kohezionit social. Në këtë kuadër, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike (KVSP), mbart potencialin për të qënë një ndër mekanizmat vendor më efikas për adresimin e kërcënimeve të sigurisë publike në nivel vendor. Ndaj edhe kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja prezantoi punën dhe rolin e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike (KVSP) në adresimin e sfidave të sigurisë publike.

Ai e vuri theksin tek rëndësia e të kuptuarit të përbashkët të kontekstit të qytetit (problematikat më shqetësuese, kërcënimet në nivel lokal si edhe prioritizimi i tyre).

“Nuk ka sfidë më të madhe me të cilën përballemi ne sot se sa ajo e sigurisë publike. Njëkohësisht, të jesh kryetar i një bashkie do të thotë të përballesh me shumë sfida të ndërlikuara. Për të adresuar sa më mirë sfidat ne punojmë në partneritet me të gjithë aktorët lokalë e përtej.

Një nga mënyrat se si ne punojmë është nëpërmjet Mekanizmit të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, i cili u ngrit për herë të parë në qytetin e Elbasanit në vitin 2016. Ky mekanizëm bashkon aktorët publikë e jo publikë me synimin e përbashkët për të sjellë ndryshime të vërteta.

Kjo përpjekje kolektive, e nxitur nga perspektiva dhe ekspertiza të ndryshme, hap rrugën për zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat komplekse të komunitetit.

Kjo qasje pranon se siguria nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por përkundrazi, është një përpjekje e përbashkët”, tha z. Llatja.

Eksperienca e deritanishme ka treguar se njё qasje e integruar shumaktoriale nё nivel vendor do të ishte efektive jo vetëm në adresimin e kërcënimeve tradicionale që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe sigurisё publike, por edhe mё tej edhe me parandalimin e fenomene të tjera negative si radikalizmi dhe EDH.

Ndaj dhe kjo konferencë do të shërbejë si një mundësi për shkëmbimin e përvojave, praktikave pozitive dhe mësimet e nxjerra mes profesionistëve të vijës së parë dhe institucioneve vendore në lidhje me fuqizimin e mekanizmave vendor shumaktorial.