Konferencë kombëtare për ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme, fokus te fëmijët me nevoja të veçanta

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me “Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta” dhe me mbështetjen financiare të Republikës së Bullgarisë, organizoi konferencën kombëtare me temë “Zhvillimi i ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme në Shqipëri”.
Kjo konferencë kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve, profesionistëve dhe aktorëve të interesuar mbi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme si një çështje thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, veçanërisht atyre me nevoja të veçanta.
Gjatë këtij aktiviteti, Bashkia Elbasan ndau vizionin për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, më të ndjeshme dhe më mbështetëse ndaj fëmijëve që kanë nevoja të veçanta, duke theksuar se politikat sociale duhet të jenë të orientuara drejt mbështetjes që në moshat më të hershme.
Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika, në fjalën e saj theksoi se ndërhyrjet e hershme janë vendimtare për të ardhmen e fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi u japin atyre më shumë mundësi për të zhvilluar aftësitë, për të mësuar, për t’u socializuar dhe për t’u integruar plotësisht në jetën e komunitetit.
Bashkia Elbasan është bërë pjesë e këtij projekti përmes Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale, duke kontribuar në zbatimin e aktiviteteve mbështetëse për fëmijët, por edhe në forcimin e kapaciteteve profesionale të specialistëve. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, ky projekt ka ndikuar edhe në modelimin e praktikave bashkëkohore të punës me fëmijërinë e hershme, duke sjellë standarde më të avancuara shërbimi.
Konferenca u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave më efektive për fëmijët me nevoja të veçanta dhe për garantimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të barabartë për ta.