Llatja/ Funari, së shpejti destinacion turistik edhe për sportet e aventurës në vend
Maja e Korrës, në Funarin e resurseve dhe turizmit të mrekullueshëm, shumë shpejt do të kthehet në një destinacion turistik për sportet e aventurës në Shqipëri dhe Rajon. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, pohon se “shume shpejt do të marrë formë ambicia jonë për ta shndërruar këtë perlë mahnitëse natyrore në pikën më të rëndësishme turistike për sportet e aventurës në Shqipëri dhe rajon”. Duke nisur nga Maja e Korrës do të hapen shtigjet malore me qëllim që Funari të lidhet me Labinotin Fushë dhe Elbasanin. “Janë rreth 70 kilometra shtigje që do të hapen për këmbësorët, për të apasionuarit e sportit, për mjetet, si edhe për biçikletat. Është një gamë e gjerë a aktiviteteve të cilat programohen në Njësinë Administrative Funar. Ndaj, sot ne vendosëm një nga piketat e para në këtë Majë ku do të ngihet edhe një nga pistat më të mëdha që ne kemi në Shqipërinë e Mesme për hedhjen me parashutë, si edhe do të jetë pika kryesore lidhëse e disa shtigjeve kryesore që do të lidhen me Elbasanin, duke u kthyer kështu në një destinacion turistik”, pohon Z. Llatja. Funari, është pjesë e qytetit, të Bashkisë së Elbasanit, e resurseve e turizmit të mrekullueshëm, me ujë, blektori dhe peshk. Bashkia e Elbasanit ka kryer një sërë investimesh në Funar, ku dikurë ishte thuajse i harruar. E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat. Ishte një inisiativë e Bashkisë së Elbasanit që Funarit ti jepte atë që me të vërtetë meritonte, emrin, ” Funari Turistik”, duke shpallur edhe datën 26 Mars ditë feste për promovimin e turizmit në këtë zonë, si edhe kthimin e kësaj feste në traditë.