Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2026

Shqipëria dhe Serbia do të mirëpresin Kampionatin Europian U-21

Shqipëria dhe Serbia do të mirëpresin Kampionatin Europian U-21 të UEFA-s në vitin 2027. Datat e ndeshjeve dhe të shortit do të konfirmohen. Emërimi i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe i Federatës Serbe të Futbollit u bë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në shkurt 2025. Ndeshjet do të zhvillohen në tetë stadiume, në shtatë qytete të ndryshme në të dy vendet.

Bysheku feston! Natyra dhe tradita bashkojnë qytetarë e turistë.

Bysheku ka marrë sot ngjyrat e festës, duke mirëpritur qindra qytetarë, të apasionuar pas natyrës, vizitorë vendas dhe turistë të huaj, të cilët zgjodhën ta kalojnë këtë ditë mes gjelbërimit, muzikës, traditës dhe bukurive të zones dhe piknikut.

Aktiviteti solli një atmosferë të veçantë, me muzikë live, panair dhe momente argëtimi për të gjitha moshat.

Panairi i artizanatit dhe produkteve tradicionale i dha një tjetër dimension festës, duke sjellë në vëmendje punën, krijimtarinë dhe traditën e zonës, ndërsa natyra e Byshekut u kthye në skenën më të bukur të kësaj dite.

Për elbasanasit, Bysheku ka qenë prej dekadash një nga destinacionet më të preferuara për fundjavën. Sot, kjo traditë vijon, ndërsa Bysheku po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje edhe si një destinacion për vizitorët dhe turistët.

Një ditë feste, por edhe një tjetër dëshmi e potencialit të madh turistik të Elbasanit, ku natyra, tradita dhe mikpritja bëhen bashkë për të krijuar një eksperiencë të paharrueshme.

Bysheku feston sot, mes njerëzve, muzikës, traditës dhe natyrës!

Bashkia Elbasan bashkohet me nismën për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e personave me demencë

Bashkia Elbasan i është bashkuar nismës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për ndërgjegjësimin mbi demencën, në kuadër të Muajit Botëror të Alzheimerit dhe Konferencës Përfundimtare të COST Action CA21137 – Ethics in Dementia (EDEM).

Në mjediset e Fakultetit u prezantuam shërbimet sociale dhe komunitare që Bashkia Elbasan ofron për personat që jetojnë me demencë dhe familjet e tyre. Nisma shoqërohet gjithashtu me veprimtari ndërgjegjësuese përmes mediave, rrjeteve sociale dhe komunikimit me komunitetin.

I pranishëm në konferencë, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja theksoi se bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për forcimin e shërbimeve sociale dhe komunitare, si dhe për bashkëpunimin me institucionet akademike dhe shëndetësore, me qëllim për të qenë më pranë çdo familjeje që ka nevojë.

Pjesë e programit të konferencës ishte edhe një sesion në gjuhën shqipe, i cili krijoi një hapësirë diskutimi ndërmjet akademikëve, profesionistëve shëndetësorë dhe socialë, përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe komunitetit.

Në fokus të kësaj nisme është kujdesi ndaj personave me demencë, mbështetja e familjeve të tyre dhe nevoja për forcimin e shërbimeve dhe ndërgjegjësimit në nivel vendor.

Tre çmime për Elbasanin, “Isuf Myzyri” shkëlqen në Festivalin Kombëtar

Pas suksesit të arritur në Edicionin XIX të Festivalit Kombëtar Tipologjik të Këngës Popullore Qytetare, Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, zhvilloi një takim falënderues me artistët dhe bashkëpunëtorët e Ansamblit “Isuf Myzyri”.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, me në fokus vlerësimin e punës dhe përkushtimit të artistëve, që sollën në Elbasan një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u vlerësuar me tri çmime:

🥇Çmimi i Parë “Isuf Myzyri”

🏅Çmimi “Orkestra më e mirë”

🏅Çmimi i Karrierës për këngëtarin Mehdi Zena

Gjatë bashkëbisedimit, Kovaçi vlerësoi kontributin e drejtuesit Sopot Serica, këngëtarëve, instrumentistëve dhe të gjithë grupit të punës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të këngës popullore qytetare elbasanase.

Biseda u përqendrua edhe te vijimësia e punës, idetë e reja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te brezat e rinj, duke e mbajtur gjallë identitetin artistik të Elbasanit.

Tri çmimet e fituara janë një vlerësim për punën e përbashkët të artistëve dhe një tjetër dëshmi e vlerave të traditës muzikore qytetare elbasanase.

Mirënjohje për të gjithë artistët që e mbajnë gjallë këngën qytetare të Elbasanit!