Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Kryezjarr, përfundon rehabilitimi i rrugës që lidh fshatin me nënstacionin elektrik

Pas përfundimit të punimeve për nënstacionin elektrik dhe linjën e interkonjeksionit, Bashkia Elbasan ka përfunduar rehabilitimin e segmentit rrugor që lidh nënstacionin me fshatin Kryezjarr. Rruga, me një gjatësi prej rreth 800 metrash, ishte një nga kërkesat e banorëve të zonës dhe pjesë e angazhimeve të marra nga Bashkia.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, inspektuan nga afër punimet në këtë segment, duke theksuar se investimi vjen në vijim të përfundimit të Unazës së Kryezjarrit, një tjetër ndërhyrje e kërkuar prej kohësh nga banorët.

“Para disa muajsh përfunduam Unazën e fshatit Kryezjarr, me një gjatësi prej 1100 metrash, një kërkesë e banorëve. Tashmë jemi duke kryer një tjetër investim në fshatin Kryezjarr, për lidhjen me nënstacionin elektrik të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, një nga linjat kryesore të lidhjes me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, e cila është ndërtuar në fshatin Kryezjarr. Tashmë po vazhdojmë me investimin tjetër, për lidhjen e fshatit Kryezjarr me fshatin Mjekës”, u shpreh Llatja.

Kryebashkiaku nënvizoi se ndërhyrjet në këtë zonë nuk ndalen me këtë segment rrugor. Sipas tij, në vijim pritet të nisin edhe investime të tjera që do të përmirësojnë lidhjen mes fshatrave dhe zonave të njësive administrative Shirgjan dhe Tregan.

“Ne po përgatitemi që shumë shpejt të nisim një tjetër investim, i cili lidh Mjekësin me Tudanin dhe Kryezjarrin me Tudanin, duke ndërvepruar me të gjithë pjesën e sipërme të kodrave të njësive administrative Shirgjan dhe Tregan. Investime të tjera do të bëhen gati gjatë këtij viti në shumë fshatra të Bashkisë Elbasan”, tha Llatja.

Nga ana e saj, deputetja Evis Kushi vlerësoi rëndësinë që këto investime kanë për komunitetin, veçanërisht për banorët e zonës së Kryezjarrit.

“Veçanërisht kjo rrugë, por edhe Unaza e Kryezjarrit, ka ndryshuar jetën e banorëve, por është edhe një kontribut i rëndësishëm ekonomik për jetën e qytetarëve”, u shpreh Kushi.

Rehabilitimi i këtij segmenti plotëson kështu një tjetër hallkë të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Kryezjarr, ndërsa investimet e planifikuara synojnë të përmirësojnë më tej lidhjen e fshatrave të zonës me njëri-tjetrin dhe me pjesën tjetër të territorit të Bashkisë Elbasan.