Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 8 Shtator 2026

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mbështetje e re për sipërmarrësit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, kanë prezantuar në Mjekës paketën e re mbështetëse të Qeverisë Shqiptare, “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke sjellë në vëmendje mundësitë konkrete që kjo nismë krijon për bizneset që synojnë të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre.

Gjatë vizitës në biznesin e Ardjan Arapit, u prezantua edhe një histori konkrete suksesi dhe rikthimi. I rikthyer nga emigracioni në vitin 2010, Arapi zgjodhi të ndërtonte të ardhmen në vendin e tij, duke nisur aktivitetin në përpunimin e hekurit dhe prodhimin e kaldajave. Përmes punës dhe këmbënguljes, aktiviteti i tij është zgjeruar ndër vite dhe sot ai ka investuar në një kapanon të ri, me synimin për ta rritur më tej biznesin.

Paketa “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të mbështesë sipërmarrësit që duan të zgjerojnë aktivitetin, të rrisin kapacitetet prodhuese, të modernizojnë teknologjinë dhe të krijojnë vende të reja pune.

Gjatë takimit, Llatja dhe Kushi theksuan rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjes dhe të krijimit të kushteve që bizneset lokale të investojnë, të zhvillohen dhe të gjenerojnë më shumë punësim.

Bashkia Elbasan do të vijojë të ofrojë asistencën institucionale për sipërmarrësit, duke lehtësuar procedurat dhe duke mbështetur nismat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe zonave përreth.

Në çdo shkollë e kopsht, bashkë për një vit të ri shkollor të sigurt

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, Bashkia Elbasan ka intensifikuar përgatitjet për të garantuar një fillim sa më të mbarë, të sigurt dhe cilësor për të gjithë nxënësit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar takime në shkolla dhe kopshte të qytetit dhe njësive administrative, duke u njohur nga afër me masat e marra dhe nevojat e fundit përpara nisjes së procesit mësimor. Në takime kanë qenë të pranishëm drejtues shkollash, mësues, prindër, oficerë sigurie dhe aktorë të tjerë të përfshirë në mbarëvajtjen e institucioneve arsimore.

Në fokus të diskutimeve kanë qenë siguria e fëmijëve, pastërtia dhe mirëmbajtja e ambienteve, gjendja e rrugëve dhe sinjalistika pranë shkollave, si dhe masat për parandalimin e bullizmit dhe çdo forme dhune. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për fëmijët me aftësi ndryshe.

Ky shtator sjell edhe investime të rëndësishme në infrastrukturën arsimore. Shkollat “Dhaskal Todri” dhe “Shushicë” hapin dyert në godinat e rikonstruktuara, ndërsa Shkolla Speciale “Zëra Jete” mirëpret nxënësit në ambiente të reja dhe bashkëkohore. Ndërkohë, vijon puna për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Naim Frashëri”.

Një tjetër risi për këtë vit është zbatimi në 15 shkolla të Bashkisë Elbasan i programit të Ministrisë së Arsimit “Pas Shkolle”. Përmes këtij programi, nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë dhe të angazhohen në aktivitete jashtëshkollore, si muzika, teatri, kërcimi, zejet, piktura dhe sporti.

Programi synon t’u krijojë fëmijëve më shumë mundësi për të zhvilluar talentet, aftësitë krijuese dhe sportive, duke e kthyer kohën pas mësimit në një hapësirë për të mësuar, socializuar dhe zhvilluar më tej.

Me ndërhyrjet në infrastrukturë, masat për sigurinë dhe mirëmbajtjen, si dhe programet e reja për nxënësit, Bashkia Elbasan synon që dita e parë e shkollës të gjejë gati çdo institucion arsimor, nga qendra e qytetit deri në njësitë administrative, për një vit të ri shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe plot suksese.