Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mbështetje e re për sipërmarrësit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, kanë prezantuar në Mjekës paketën e re mbështetëse të Qeverisë Shqiptare, “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke sjellë në vëmendje mundësitë konkrete që kjo nismë krijon për bizneset që synojnë të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre.

Gjatë vizitës në biznesin e Ardjan Arapit, u prezantua edhe një histori konkrete suksesi dhe rikthimi. I rikthyer nga emigracioni në vitin 2010, Arapi zgjodhi të ndërtonte të ardhmen në vendin e tij, duke nisur aktivitetin në përpunimin e hekurit dhe prodhimin e kaldajave. Përmes punës dhe këmbënguljes, aktiviteti i tij është zgjeruar ndër vite dhe sot ai ka investuar në një kapanon të ri, me synimin për ta rritur më tej biznesin.

Paketa “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të mbështesë sipërmarrësit që duan të zgjerojnë aktivitetin, të rrisin kapacitetet prodhuese, të modernizojnë teknologjinë dhe të krijojnë vende të reja pune.

Gjatë takimit, Llatja dhe Kushi theksuan rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjes dhe të krijimit të kushteve që bizneset lokale të investojnë, të zhvillohen dhe të gjenerojnë më shumë punësim.

Bashkia Elbasan do të vijojë të ofrojë asistencën institucionale për sipërmarrësit, duke lehtësuar procedurat dhe duke mbështetur nismat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe zonave përreth.