Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 11 Shtator 2026

Elbasani drejt “European City of Sport 2027”

Në sallën e konferencave të Pallatit të Sportit “Tomor Sinani” u zhvillua prezantimi zyrtar i kandidaturës së Elbasanit për titullin “European City of Sport 2027”, në vijim të procesit të nisur në fillim të këtij viti.

Presidenti dhe Themeluesi i ACES Europe, Gian Francesco Lupattelli, së bashku me Komisionin e Vlerësimit, u njohën me të dhëna të detajuara mbi sportin në Elbasan, investimet e kryera, infrastrukturën sportive dhe aktivitetet e zhvilluara në qytet.

Kandidatura u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, i cili paraqiti projektin dhe elementët kryesorë që lidhen me zhvillimin e sportit në qytet.

Elbasani ka një traditë të konsoliduar sportive dhe një infrastrukturë që mbështet zhvillimin e disiplinave të ndryshme sportive. Në qytet zhvillohen sporte si basketbolli, volejbolli, handbolli, atletika, karateja, çiklizmi, ping-pongu, peshëngritja, si edhe aktivitete të tjera sportive. Kjo larmi është pjesë e potencialit mbi të cilin mbështetet kandidatura e Elbasanit për “European City of Sport 2027”.

Kandidatura synon gjithashtu të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë dhe talentet e reja, të nxisë pjesëmarrjen në aktivitete sportive dhe të forcojë rolin e sportit në jetën e komunitetit. Këto objektiva janë pjesë e rrugëtimit të Elbasanit drejt rrjetit ACES Europe, ku sporti shihet si një element i rëndësishëm i zhvillimit dhe promovimit të qytetit.

Gjatë prezantimit, Komisioni i Vlerësimit vlerësoi projektin e paraqitur dhe përcaktoi disa detyra dhe elementë që duhet të përmbushen në vijim të procesit të vlerësimit.

Kandidatura e Elbasanit për “European City of Sport 2027” vijon tashmë në një fazë të rëndësishme të vlerësimit, duke vendosur në fokus traditën sportive të qytetit, investimet në infrastrukturë, aktivitetet e zhvilluara dhe mundësitë për përfshirjen e mëtejshme të komunitetit.

Elbasani synon ta kthejë sportin në një nga kartëvizitat më të rëndësishme të qytetit dhe, përmes këtij procesi, të forcojë edhe më tej profilin e tij sportiv në nivel europian.

Miratohet stacioni i ri zjarrfikës në Bradashesh

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi përdorimin e fondit të Emergjencave Civile për ndërtimin e stacionit të ri zjarrfikës në Njësinë Administrative Bradashesh.

Stacioni i ri do të ndërtohet pranë godinës së Njësisë Administrative Bradashesh dhe do të shërbejë si një pikë e afërt reagimi për zonën industriale dhe komunitetin përreth, duke synuar uljen e kohës së ndërhyrjes në rast zjarresh dhe emergjencash.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Gledian Llatja raportoi edhe mbi situatën e emergjencave civile gjatë këtij viti. Ai bëri të ditur se shërbimi zjarrfikës ka realizuar rreth 500 dalje, prej të cilave rreth 200 raste janë konsideruar serioze dhe rreth 50 kanë paraqitur rrezik për jetën e qytetarëve.

Llatja theksoi se gjatë këtij viti Bashkia Elbasan është pajisur me dy mjete të reja zjarrfikëse, të cilat kanë shërbyer në ndërhyrjet për zjarret, aksidentet rrugore dhe emergjencat në banesa. Ai përmendi gjithashtu ndërhyrjet në zona të ndryshme të vendit, në mbështetje të bashkive të tjera.

Sipas tij, stacioni i ri në Bradashesh do të ketë një staf prej 13 punonjësish, ndërsa Bashkia pritet të forcojë më tej kapacitetet me mjete të reja, përfshirë automjete fuoristradë dhe teknologji për identifikimin e zjarreve në kohë reale.

Investimi synon rritjen e sigurisë së komunitetit, veçanërisht në një zonë me aktivitet të konsiderueshëm industrial, si dhe forcimin e kapaciteteve të Bashkisë Elbasan për përballimin e emergjencave civile.

Mjetet e Pjesëmarrjes Publike

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe Expertise France, ka përgatitur Paketën e Mjeteve për Pjesëmarrjen Publike, në kuadër të projektit “Konvergjenca për Drejtësinë Klimatike dhe Mjedisore (CEJ) në Ballkanin Perëndimor”.
Këto mjete synojnë të forcojnë pjesëmarrjen e qytetarëve, transparencën dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në proceset e vendimmarrjes vendore, veçanërisht në çështjet mjedisore.
Gjeni ju lutem mjetet e Pjesemarrjes Publike: