Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 24 Shtator 2026

Bashkia Elbasan, pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në transparencë dhe llogaridhënie

Bashkia Elbasan është përzgjedhur si bashki pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në funksion të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe aksesit të qytetarëve në informacionin mbi performancën dhe shërbimet bashkiake.

Në këtë kuadër, sot u zhvillua një takim prezantues mbi mundësitë konkrete që ofron Inteligjenca Artificiale për përmirësimin e komunikimit të Bashkisë me qytetarët dhe grupet e interesit.

Bashkia Elbasan prej disa vitesh harton dhe publikon Raportin Vjetor të Performancës, bazuar në tregues të përcaktuar të performancës. Raporti për vitin 2025 është publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë dhe është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët.

Përmes këtij pilotimi synohet që informacioni publik të bëhet edhe më i lehtë për t’u konsultuar, përmes krijimit të një dritareje interaktive në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan. Qytetarët do të mund të drejtojnë pyetje mbi rezultatet e performancës, shërbimet bashkiake dhe çështje të tjera me interes publik, duke marrë përgjigje të menjëhershme.

Zgjidhja pritet të vihet në funksion brenda muajit shtator 2026, në kuadër të bashkëpunimit me projektin “Bashki të Forta”, në bashkëpunim me Smart Process.

“Bashki të Forta” mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) dhe zbatohet nga Helvetas.

Elbasani zyrtarisht Qyteti Europian i Sportit 2027

Elbasani ka marrë zyrtarisht titullin “Qyteti Europian i Sportit 2027” (European City of Sport 2027), një vlerësim prestigjioz i akorduar nga ACES Europe – World Capitals and Cities of Sport Federation.

Titulli përfaqëson një vlerësim për punën e bërë ndër vite në zhvillimin e sportit në qytet, përmirësimin e infrastrukturës sportive, mbështetjen e sportistëve dhe trajnerëve, si dhe krijimin e mundësive më të mëdha për përfshirjen e qytetarëve në aktivitetet sportive.

Drejtori i Përgjithshëm i Klubit Shumësportësh Elbasani, Artin Kovaçi, ka shprehur mirënjohjen për Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në fuqizimin e sportit në qytet. Falënderime janë adresuar gjithashtu për Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zv.Ministrin e Kulturës dhe Sporteve, Endri Hoxha, si dhe për stafin e Klubit Shumësportësh Elbasani, për kontributin në arritjen e këtij objektivi.

Në vlerësimin e ACES Europe kanë ndikuar politika sportive e qytetit, infrastruktura, programet sportive dhe gama e gjerë e aktiviteteve të zhvilluara në Elbasan.

Titulli “European City of Sport 2027” e vendos Elbasanin në familjen europiane të qyteteve të sportit dhe njëkohësisht sjell një përgjegjësi të re për të vijuar investimet, promovimin e sportit dhe mbështetjen e sportistëve të rinj.

Elbasani tashmë mban zyrtarisht titullin Qyteti Europian i Sportit 2027.