Bashkia Elbasan, pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në transparencë dhe llogaridhënie
Bashkia Elbasan është përzgjedhur si bashki pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në funksion të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe aksesit të qytetarëve në informacionin mbi performancën dhe shërbimet bashkiake.
Në këtë kuadër, sot u zhvillua një takim prezantues mbi mundësitë konkrete që ofron Inteligjenca Artificiale për përmirësimin e komunikimit të Bashkisë me qytetarët dhe grupet e interesit.
Bashkia Elbasan prej disa vitesh harton dhe publikon Raportin Vjetor të Performancës, bazuar në tregues të përcaktuar të performancës. Raporti për vitin 2025 është publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë dhe është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Përmes këtij pilotimi synohet që informacioni publik të bëhet edhe më i lehtë për t’u konsultuar, përmes krijimit të një dritareje interaktive në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan. Qytetarët do të mund të drejtojnë pyetje mbi rezultatet e performancës, shërbimet bashkiake dhe çështje të tjera me interes publik, duke marrë përgjigje të menjëhershme.
Zgjidhja pritet të vihet në funksion brenda muajit shtator 2026, në kuadër të bashkëpunimit me projektin “Bashki të Forta”, në bashkëpunim me Smart Process.
“Bashki të Forta” mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) dhe zbatohet nga Helvetas.