Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Gusht 2026

Qerreti rikthen traditën e duhanit, shtohen fermerët dhe sipërfaqet e kultivuara

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vizitoi në Qerret të Labinotit Mal fermerin Veli Kolonjari, një ish-emigrant i cili pas tre vitesh kthimi nga Greqia ka zgjedhur të investojë në tokën e tij dhe të ndërtojë një histori suksesi me kultivimin e duhanit.

Për vite me radhë në Greqi, Veliu ishte angazhuar në sektorin e duhanit, duke fituar eksperiencën dhe njohuritë e nevojshme për këtë kulturë bujqësore. Pas kthimit në fshatin e tij, ai vendosi ta aplikojë këtë eksperiencë në tokat e Qerretit, duke nisur fillimisht me një parcelë të vogël dhe duke e zgjeruar gradualisht sipërfaqen e kultivuar.
Sot, Veliu kultivon 30 hektarë tokë vetëm me duhan, duke e kthyer këtë kulturë në një burim të rëndësishëm të ardhurash për familjen e tij dhe një shembull për fermerët e tjerë të zonës.

Gjatë takimit me fermerët e Qerretit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi punën e fermer Veliut dhe theksoi se rikthimi i emigrantëve në tokat e tyre, formalizimi i aktivitetit bujqësor dhe mbështetja me shërbime pranë zonave rurale janë tregues të një zhvillimi të ri për fshatrat e Elbasanit.

“Vetëm këtë vit në Qerret dhe Lukaxhi janë hapur 30 NIPT-e të reja fermerësh, një tregues i qartë se gjithnjë e më shumë banorë po zgjedhin të investojnë në tokën e tyre dhe të zhvillojnë aktivitetin bujqësor”, u shpreh Llatja.
Përmes shërbimeve e- Albania të ofruara tashmë edhe në njësitë administrative, fermerët mund të marrin asistencën e nevojshme për hapjen e NIPT-it të fermerit, aplikimet për rimbursimin e 10% të faturës dhe procedura të tjera, pa qenë e nevojshme të udhëtojnë drejt qytetit.

Nga një parcelë e vogël në fillim, në një sipërfaqe prej 30 hektarësh të kultivuar sot, historia e Veliut është një shembull se si eksperienca e fituar jashtë vendit mund të kthehet në investim dhe zhvillim për komunitetin vendas.

Elbasani, “zemra historike industriale” drejt shfrytëzimit të potencialit për energjinë e pastër

Elbasani është përzgjedhur si një nga dy bashkitë e para në Komunitetin e Energjisë që do të përfitojë mbështetje për zhvillimin e Zonave të Përshpejtimit të Energjisë së Rinovueshme, një nismë që synon të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe zhvillimit të qëndrueshëm në qytetet me traditë industriale.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Bashkinë e Elbasanit dhe Bashkinë e Bitolës në Maqedoninë e Veriut, duke i përzgjedhur ato si dy projektet e para pilot në rajon. Përmes kësaj marrëveshjeje, të dyja bashkitë do të mbështeten me asistencë teknike për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe përshpejtimin e procedurave të planifikimit dhe pajisjes me leje.

Sipas vlerësimit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Elbasani cilësohet si “zemra historike industriale e Shqipërisë dhe qendra e prodhimit të çelikut me bazë karboni në vend”. Pikërisht për këtë arsye, qyteti është përzgjedhur si një nga dy projektet pilot që do të mbështeten në procesin e dekarbonizimit dhe zhvillimit të energjisë së rinovueshme, me synimin për t’u transformuar në një qendër moderne të energjisë dhe industrisë së pastër.

Bitola, nga ana tjetër, përfaqëson qendrën kryesore të rajonit të minierave të qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe po përballet me një proces të ngjashëm tranzicioni drejt një ekonomie të bazuar në energjinë e pastër. Përvoja e dy bashkive synon të shërbejë si model edhe për qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor me histori industriale dhe varësi nga lëndët djegëse fosile.

Një nga elementët kryesorë të projektit është krijimi i Zonave të Përshpejtimit të Energjisë së Rinovueshme, të parashikuara nga Direktiva Europiane RED III. Këto zona do të mundësojnë zhvillimin më të shpejtë të projekteve të energjisë së rinovueshme, duke thjeshtuar procedurat për investitorët dhe duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Për Elbasanin, kjo nismë krijon mundësi të reja për të tërhequr investime në sektorin e energjisë së pastër, në infrastrukturën e qëndrueshme, sistemet moderne të menaxhimit të energjisë dhe zhvillimin e industrive të gjelbra. Projekti pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik lokal, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së qytetit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson se modeli që do të zbatohet në Elbasan dhe Bitola është konceptuar si një nismë e replikueshme, e cila mund të përshtatet edhe nga bashki e rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë dekarbonizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Përzgjedhja e Elbasanit si një nga dy bashkitë e para pilot përbën një vlerësim të rëndësishëm për potencialin e qytetit dhe një hap konkret drejt shndërrimit të tij në një qendër të energjisë dhe industrisë së pastër, në përputhje me objektivat energjetike dhe klimatike të Bashkimit Europian.

Shkolla e re e Shushicës drejt përfundimit, së shpejti hap dyert për 350 nxënës

Shkolla e re e Shushicës në Elbasan po merr formë dita-ditës dhe shumë shpejt do të jetë gati për të mirëpritur 350 nxënës dhe 35 mësues, duke ofruar kushte bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor.

Investimi, i realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia Elbasan, po i jep kësaj shkolle një transformim të plotë. Godina po pajiset me ambiente moderne, të sigurta dhe funksionale, të projektuara për të garantuar një mjedis sa më cilësor për mësimdhënien dhe edukimin e fëmijëve.

Përveç rolit të saj si institucion arsimor, shkolla do të shërbejë edhe si një qendër komunitare për banorët e zonës. Hapësirat e saj do të jenë në dispozicion për zhvillimin e aktiviteteve edukative, kulturore, sportive dhe sociale, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme për jetën e komunitetit.

Ky investim është pjesë e angazhimit për modernizimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Elbasan, me synimin për t’u ofruar nxënësve kushte sa më të mira dhe një mjedis që nxit zhvillimin, mësimin dhe përfshirjen e komunitetit.

Ura e re në Rrangallie, fund vështirësive për 50 familje

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Sara Mila, panë nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e një ure të re në lagjen Rrangallie të fshatit Labinot Katund.

Ky investim po realizohet nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Forcat Xheniere dhe do t’i japë zgjidhje një problemi të kahershëm të banorëve të zonës. Mbi 50 familje do të përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo vepër infrastrukturore, e cila zëvendëson urën provizore që banorët kanë përdorur për më shumë se tre dekada.

Me përfundimin e punimeve, banorët do të kenë mundësi të qarkullojnë në një urë tërësisht të rikonstruktuar, me standarde sigurie, duke i dhënë fund vështirësive që kanë hasur ndër vite.

Një përfitim të rëndësishëm do të kenë edhe 45 fëmijët e lagjes, të cilët çdo ditë kalojnë në këtë segment për të shkuar në shkollë. Deri më tani, lëvizja e tyre ishte e vështirë dhe e rrezikshme për shkak të urës së amortizuar dhe kalimit të përroit.

Gjatë takimit me banorët, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se investimet do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe sistemimi i dy rrugëve malore të fshatit, të cilat aktualisht paraqesin vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Deputetja Sara Mila u shpreh se ndërtimi i kësaj ure është një investim që përmirëson ndjeshëm jetën e banorëve, duke lehtësuar qarkullimin drejt shkollës, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve të tjera, si edhe duke forcuar lidhjen e banorëve me fshatrat përreth dhe me qytetin e Elbasanit.

Banorët e lagjes Rrangallie e kanë mirëpritur këtë investim, pasi ura e re i jep fund një problemi që i ka shoqëruar për më shumë se 30 vite dhe garanton një qarkullim më të sigurt për të gjithë.