Përmbyllet GreenElb, nga pilotimi drejt zgjerimit të modelit të eficiencës energjetike
Konferenca Përfundimtare e projektit “GreenElb – Energji e gjelbër dhe e qëndrueshme në ndërtesat e Elbasanit” mblodhi sot në Elbasan përfaqësues të NetZeroCities, bashkive partnere Podgoricë dhe Menteshe, institucioneve qendrore e vendore, sektorit privat, universiteteve, shoqërisë civile dhe të rinjve të qytetit.
I pranishëm në aktivitet ishte kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Zana Vokopolën, Drejtore Ekzekutive e Institutit të Kërkimeve Urbane, Ani Hasën, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë, Adelina Farricin, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, dhe Sissy Windisch, Drejtore Operative e Imby SRL dhe Anëtare e Bordit të Misionit për Qytete Klimatikisht Neutrale dhe të Zgjuara.
Gjatë konferencës u prezantuan rezultatet e dy viteve të zbatimit të GreenElb, me fokus te rritja e eficiencës energjetike, reduktimi i konsumit të energjisë dhe përdorimi i zgjidhjeve të gjelbra në ndërtesa, familje dhe biznese.
GreenElb shërbeu si një projekt pilot për Elbasanin, ndërsa tashmë synimi është replikimi dhe zgjerimi i këtij modeli në të gjithë qytetin, në kuadër të Kontratës Klimatike të Qytetit dhe angazhimit të Elbasanit në Misionin Evropian për 100 Qytete Klimatikisht Neutrale.
Në këtë drejtim, konferenca u fokusua te hapat e ardhshëm, investimet dhe mekanizmat që mund të përshpejtojnë tranzicionin energjetik, si dhe te forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve, biznesit, akademisë dhe komunitetit.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe Panairi i Eficiencës Energjetike, ku u prezantuan teknologji dhe zgjidhje praktike për një përdorim më eficient dhe të qëndrueshëm të energjisë.
GreenElb, i mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes NetZeroCities, shënon një tjetër hap në rrugëtimin e Elbasanit drejt neutralitetit klimatik, duke e kthyer angazhimin për një qytet më të gjelbër nga objektiv në veprime konkrete.