Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 1 Shtator 2026

Elbasani  pilotohet modeli i mikrofinancës “Grameen Impact Albania”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në ambientet e bashkisë Drejtorin Ekzekutiv të Grameen Impact Albania, z. Abul Kalam, së bashku me përfaqësuesit e AADF-së, z. Marin Shtylla dhe z. Skevi Paralloj.

Gjatë takimit u diskutua mbi projektin “Grameen Impact Albania”, i cili do të pilotohet në Elbasan dhe synon të krijojë mundësi të reja financimi për sipërmarrësit dhe grupet që kanë akses më të kufizuar në shërbimet financiare.

Projekti bazohet në modelin e mikrofinancës të zhvilluar nga laureati i Çmimit Nobel, Muhammad Yunus, duke ofruar kredi të vogla pa kolateral dhe duke synuar fuqizimin ekonomik të individëve që përballen me barriera në aksesin ndaj financimit.

Një fokus i veçantë i programit do të jetë nxitja e sipërmarrjes dhe përfshirja financiare e grave dhe grupeve të margjinalizuara, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e ideve dhe bizneseve të reja.

Bashkia Elbasan synon që përmes këtij programi të mbështesë krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe fuqizimin e sipërmarrjes në komunitet.

Kompleksi Sportiv “Shefqet Lamçja” me kushte të përmirësuara për sportistët dhe talentet e reja

Kompleksi Sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan tashmë ofron kushte tërësisht të përmirësuara për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe veçanërisht për stërvitjen e futbollistëve të rinj.

Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, ka përfunduar rikonstruksioni i fushës me bar natyral, ndërsa janë përmirësuar edhe ambientet e kompleksit, duke krijuar kushte më moderne dhe funksionale për stërvitje dhe zhvillimin e futbollit.

Në këtë kompleks stërviten çdo ditë mbi 300 fëmijë, të grupmoshave U-7 deri në U-19, krahas ekipit të të rriturve. Investimi krijon një mjedis më të përshtatshëm për formimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, duke i dhënë më shumë mundësi të rinjve që të angazhohen në sport.

Përmirësimi i infrastrukturës sportive në “Shefqet Lamçja” është një tjetër hap në funksion të zhvillimit të sportit në Elbasan, ndërsa njëkohësisht kontribuon në përgatitjen e qytetit për të pritur aktivitetet e Kampionatit Europian U-21, Shqipëri 2027.